Intervistat me Leon Goretzka janë bërë të rralla, por pas fitores bindëse 3-0 të Bayern Munich ndaj Werder Bremen, mesfushori foli duke treguar vendosmërinë e tij, i vetëdijshëm se vera e ardhshme mund të shënojë fundin e aventurës në Mynih.
Pas verës 2024, kur klubi kishte vlerësuar shitjen e tij, Goretzka vendosi të qëndrojë dhe të përshtatet me projektin e Vincent Kompany. “Javët e para nën drejtimin e Kompany nuk ishin të lehta, por që në fillim patëm një marrëdhënie të sinqertë. Më tha se do të kisha hapësirë nëse do të jepja maksimumin dhe kështu ndodhi”, – shpjegoi 31-vjeçari.
Në Bremen, ai tregoi se ende bën diferencën; rikuperoi topin për golin e 2-0 dhe u bë i rrezikshëm në zonë. “U gjenda sërish në ato zona dhe Davies më shërbeu mirë. Është kënaqësi të rikthehem te goli”, – shtoi ai.
Edhe pse nuk është më titullar i përhershëm pranë Kimmich, drejtori sportiv Max Eberl e lavdëroi: “Leon e ka Bayernin në zemër dhe jep gjithmonë maksimumin”. Goretzka synon ta mbyllë sezonin me sukses: “Gjithçka është e mundur këtë vit”.
The post Goretzka dëshiron lamtumirë të paharrueshme nga Bayerni: Gjithçka është e mundur këtë sezon appeared first on Telesport.










