Opinionisti Dukagjin Gorani në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk e kupton mënyrën e funksionimit dhe financimit të mediave.
Gorani tha se partia në pushtet kishte menduar se mediat do të vdesin me ndërprerjen e mundësisë së reklamimit nga institucionet publike, shkruan KlanKosova.tv.
“Partia Vetëvendosje dhe kryetari i saj nuk kanë shumë haber për mënyrën se si mediat funksionojnë. Me gjasë ata kanë qenë të bindur që mediat e Kosovës kanë qenë tërësisht të varura nga buxheti i shtetit. Në momentin kur kanë ardhë në pushtet edhe i kanë ndërprerë sipas tyre mundësitë e reklamimit prej institucioneve publike e kanë pasur bindjen që mediat do të vdesin”, tha Gorani.
Tutje, Gorani tha se mediat tashmë kanë forma të ndryshme të financimit përmes monetizimit të rrjeteve sociale, gjë që sipas tij, partia në pushtet nuk ‘ia ka idenë’.
“Nuk e dinë qysh sot ekzistojnë forma më të elaboruara përmes monetizimit, përdorimit të rrjeteve sociale, por ata atë punë nuk e dinë. Për Kurtin e vetmja mënyrë se si mediat munden me funksionu edhe me u financu është me qenë të paguara prej shtetit, pra ky si duket nuk kupton formë tjetër të funksionimit të gazetarisë përveç asaj që ka ekzistuar dikur edhe ndoshta ajo që sot mirëmbahet brenda një mediumi publik”, tha ai.










