Në një moment delikat, pas eliminimit zhgënjyes nga Polonia në “play off”-in e Botërorit 2026, Shqipëria merr një sinjal të fortë për të ardhmen. Një talent me profil ndërkombëtar zgjedh të veshë fanellën kuqezi. Bëhet fjalë për Luis Hasa, mesfushorin e lindur më 2004, i rritur futbollistikisht në Itali dhe aktualisht në pronësi të Napolit, i cili po spikat në Serie B me Carrarese.
I lindur në Sora (Lazio) nga prindër shqiptarë, Hasa është produkt i akademisë së Juventusit dhe një nga emrat më të vlerësuar të brezit të tij. Mediat italiane e kanë cilësuar shpesh si një mesfushor modern, me vizion loje, teknikë të rafinuar dhe aftësi për të diktuar ritmin. Kulmi i tij në nivel kombëtar erdhi në vitin 2019, kur fitoi Europianin U-19 me Italinë dhe u shpall “lojtari i kompeticionit”, duke lënë pas shumë talente që sot janë pjesë e elitës së futbollit europian.

Megjithatë, mungesa e hapësirave në kombëtaren A të Italisë dhe dalja graduale nga radarët e “azzurrëve” e shtynë të marrë një vendim të rëndësishëm për karrierën. Sipas platformës zyrtare të FIFA-s për ndryshimin e federatës, që prej 26 marsit 2026, Hasa është zyrtarisht i aktivizueshëm vetëm nga Shqipëria. Ai kishte regjistruar edhe 3 paraqitje me Italinë U-21, por pa arritur të bënte hapin drejt ekipit të parë.
Në Itali, zhvillimi i tij këtë sezon me Carrarese ka marrë vlerësime pozitive si mesfushor i besueshëm në fazën e ndërtimit, i aftë të luajë si regjisori klasik, por edhe si “box-to-box”, duke kontribuar në të dyja fazat. Pikërisht ky fleksibilitet e bën një profil shumë të çmuar për kombëtaren e Shqipërisë që kërkon rinovim dhe cilësi në mesfushë.

Zgjedhja e Hasës nuk është thjesht një transferim sportiv, por deklaratë identiteti. Në një kohë kur shumë talente me origjinë shqiptare ndahen mes disa kombëtaresh, 22-vjeçari vendos të ndjekë rrënjët e tij dhe të investojë të ardhmen me kuqezinjtë. Një sinjal i qartë edhe për FSHF, që prej vitesh po punon për të afruar profile të rritura jashtë vendit.
Tani fjala kalon te fusha, Shqipëria fiton një element me potencial të madh, ndërsa trajneri kuqezi do të ketë në dispozicion një armë më shumë për të rindërtuar kombëtare konkurruese për ciklin e ardhshëm kualifikues. Pas zhgënjimit, vjen një arsye reale për optimizëm.

The post Goditje strategjike e Shqipërisë, kampioni i Europës braktis Italinë dhe zgjedh kuqezinjtë appeared first on Telesport.










