Goditje për Republikën | Albin Kurti krijon imazhin ndërkombëtar të një Kosove ku kryeministri nuk respekton ligjin dhe as institucionet e shtetit që përfaqëson

Sot, në orën 10:00, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti do të duhej të paraqitej në Prokurorinë Speciale dhe atë sipas urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, pasi që për dy herë radhazi refuzoi kërkesën direkte të prokurorit.

Shefi i Qeverisë së Kosovës do të duhej të paraqitej para prokurorit në rolin e dëshmitarit për të dëshmuar për një rast korruptiv për të cilin ai ka njohuri: skandalin me rezervat shtetërore, shkruan Demokracia.com.

Që nga ftesa e parë, në dhjetorin e vitit 2024, Kurti ka refuzuar t’i përgjigjet ftesës për të dëshmuar në Prokurori dhe si kundërpërgjigje, ka thënë se është i gatshëm t’i presë prokurorët specialë në zyrën e tij.

Por, në vend se Kurti të shkojë në Prokurorinë Speciale, ai ka zgjedhur që në orën e njejtë, 10:00, të marrë pjesë si rrallëherë në venien e guthemelit të një çerdheje në Gjilan.

GODITJE PËR REPUBLIKËN

Mosrespektimi i ftesës së Prokurorisë Speciale për të dëshmuar dhe as i urdhërit të gjykatës, përveç pasojave direkte që rëndojnë mbi personin Albin Kurti, është goditje e madhe për Republikën e Kosovës, si një shtet i ri që ende nuk ka mbushur dy dekada dhe që nuk e ka të përfunduar konsolidimin ndërkombëtar.

Përveç kësaj, sjelljet e kryeministrit në detyrë shfaqen edhe si goditje e imazhit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, në një kohë të ndjeshme të zhvillimeve ndërkombëtare dhe kur ende llogaritet i papërfunduar konsolidimi ndërkombëtar.

Imazhi ndërkombëtar i Repulikës së Kosovës nuk është duke u goditur më vetëm nga shtetet që vazhdimisht kanë kontestuar ekzistencën, por edhe nga kryeministri i saj, i cili ka vendosur t’i tregojë botës se nuk njeh instituciont e shtetit që ai përfaqëson.

Mosnjohja e hiearkisë institucionale dhe institucioneve të drejtësisë, është goditje mbi shtyllat që mbajnë në këmbë një shtet demokratik.

Fotografia që kryeministri Kurti po krijon për Republikën e Kosovës është ajo e një shteti ku ligji nuk zbatohet as nga shefi i qeverisë së atij shteti dhe ku sundimi i ligjit ka marrë fund.

Dhe përveç ndikimit negativ në aspektin politik, refuzimi i Kurtit për t’iu përgjigjur Prokurorisë Speicale është një goditje edhe për ekonominë e Kosovës, pasi që kryeministri është duke ndërtuar një mjedis të pasigurt për investitorët.

Në një lexim të ngushtë se çka do të thotë që kryeministri të hyj në Prokurorinë e Shtetit për të dëshmuar, Kurti ka thënë se “do prodhohet një lajm ndërkombëtar që kryeministri hyn në prokurori të intervistohet për një rast korrupsioni. Aty s’thuhet që si dëshmitar…”.

Por, ky mbetet vetëm një lexim i gabuar i një situate të një rasti tepër të rëndë korruptiv, sepse hyrja e kryeministrit të një shteti në përgjigje të Prokurorisë është një dëshmi e qartë për sundimin e ligjit në një shtet.

Sundimi i Ligjit është një nga shtyllat mbi të cilën qëndrojnë fuqishëm shtetet demokratike, por kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vendosur që ta shemb atë në Republikën e Kosovës dhe atë para syve të botës demokratike. / Demokracia.com /