Goditja thuajse e pamundur që ëndërron Real Madridi në merkato

Qëkur përfundoi sezoni dhe Xabi Alonso u bë trajner i Real Madridit, ai dhe klubi e patën të qartë se skuadra kishte nevojë për ndryshime të rëndësishme. Hapat e parë u fokusuan te mbrojtja, reparti që mori më shumë kritika sezonin e kaluar, sidomos për pozicionin e mbrojtësve të krahut.

Për të forcuar të gjitha pozicionet e prapavijës u transferuan Trent Alexander-Arnold, Álvaro Carreras dhe Dean Huijsen. I pari erdhi si lojtar i lirë, por Real Madridi pagoi 10 milionë euro për ta pasur në Botërorin e Klubeve, ndërsa dy të tjerët u blenë me klauzolat përkatëse.

Nevoja ishte urgjente dhe klubi dëshironte që Xabi Alonso të kishte në dispozicion më të mirët për Botërorin e Klubeve. Një rast i veçantë është ai i Franco Mastantuono, i ndjekur prej kohësh nga Reali dhe për të cilin u desh të shpenzoheshin shumë para (63.2 milionë euro) për të mos lejuar që PSG të vepronte më parë.

Transferimet ishin të nivelit të lartë dhe forconin pozicione kyçe, por trajneri nuk ishte i kënaqur. Ai paralajmëroi pas humbjes së dhimbshme ndaj PSG-së, duke pranuar se kishte hapësirë për blerje dhe se gjithmonë ishin në kërkim të përmirësimeve.

Pozicioni më i nevojshëm, apo më saktë roli, dukej i qartë. Nevoja për një mesfushor organizator ka qenë një torturë për Real Madridin, që kur u tërhoq Toni Kroos. Një makth që mund të bëhet edhe më i keq këtë sezon, pasi Modriç gjithashtu ka lënë klubin dhe e ardhmja e Dani Ceballos është ende e pasigurt.

Megjithatë, në klub nuk janë aspak të bindur për të shpenzuar shumë para për një lojtar që nuk është në nivelin më të lartë. Reali ka shpenzuar këtë sezon 200 milionë euro dhe tani duhet të jetë i kujdesshëm për të mos bërë shpenzime të kota për lojtarë që nuk dihet se sa do të performojnë.

Megjithatë, një lojtar i pëlqen shumë ekipit të kryeqytetit dhe Xabi Alonos. Sipas informacionit nga kanali SER, “i vetmi që përshtatet është Rodri, por nuk është një operacion i mundshëm për shkak të çmimit, sepse ai është në formë të mirë te Manchester City dhe sepse duhet parë si do të luajë pas dëmtimit”, – shpjegoi Antón Meana.

Gazetari theksoi qartë se ideja e Realit aktualisht nuk është të blejë një mesfushor organizator dhe se do të hynte në treg vetëm nëse “Rodri do të ishte i arritshëm”, ose do të mund të largohej nga “Etihad” për një shumë të arsyeshme.

Vlera e mesfushorit është e paçmueshme për Manchester City dhe Pep Guardiolën. Ai ka kontratë deri në vitin 2027 dhe nga skuadra e “sky blue” presin që fituesi aktual i “Topit të Artë” të kthehet në formën e tij më të mire, për ta çuar Manchester City përsëri në nivelet më të larta, siç bëri në rolin e tij të “dirigjentit” të lojës.

Transferimi i Rodrit te Reali do të ishte “bomba” e merkatos, por për momentin duket si një ëndërr thuajse e pamundur. Megjithatë, ajo që do të ndodhë sezonin e ardhshëm do të jetë vendimtare. Nëse nuk rinovon në muajt në vijim, mesfushori do ta arrijë verën 2026 në vitin e fundit të kontratës, gjë që Reali e konsideron si situatë shumë më të favorshme për ta tentuar transferimin e tij.

The post Goditja thuajse e pamundur që ëndërron Real Madridi në merkato appeared first on Telesport.