Në një nga sinjalet më të rënda diplomatike që ka marrë ndonjëherë Kosova, më 12 shtator Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpallën pezullimin pa afat të Dialogut Strategjik me Kosovën, duke e arsyetuar këtë vendim me ‘veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti’, të cilat, sipas Uashingtonit, kanë minuar e vënë në pikëpyetje progresin e ndërtuar ndër vite.
Pezullimi është interpretuar nga komuniteti i biznesit si një zhvillim alarmues, me pasoja të menjëhershme mbi klimën e investimeve dhe mbi kredibilitetin ndërkombëtar të vendit.
Në një reagim, Oda Ekonomike e Kosovës shprehu shqetësim serioz, duke e cilësuar pezullimin e Dialogut Strategjik si “një hap prapa për aspiratat ekonomike dhe diplomatike të Republikës së Kosovës”.
Kryetari i Odës, Lulzim Rafuna, theksoi se imazhi i Kosovës si destinacion i sigurt dhe i përshtatshëm për investime duhet të trajtohet si prioritet kombëtar.
Ai paralajmëroi se mungesa e investimeve të huaja direkte, e kombinuar me rënien e investimeve nga diaspora, po e çon ekonominë drejt një situate gjithnjë e më sfiduese.
“Oda Ekonomike e Kosovës shpreh shqetësimin e thellë lidhur me njoftimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën.
Pezullimi i kësaj nisme, e cila ka rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit, përbën një hap prapa për aspiratat ekonomike dhe diplomatike të Republikës së Kosovës.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, z. Lulzim Rafuna, theksoi se përmirësimi i imazhit të Kosovës si destinacion i sigurt dhe i përshtatshëm për investime duhet të jetë prioritet kombëtar.
Ai nënvizoi se mungesa e investimeve të huaja, së bashku me rënien e investimeve nga diaspora, po krijon një situatë tejet sfiduese për ekonominë e vendit, e cila tashmë po përballet me vështirësi të shumta.” – u tha ndër të tjera në reagim.
Në të njëjtën linjë, edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë e cilësoi vendimin si një sinjal alarmant që kërkon reflektim urgjent nga institucionet e vendit.
Në reagimin, kjo odë ngriti shqetësimin se pezullimi i Dialogut Strategjik “përbën një hap prapa për aspiratat ekonomike dhe diplomatike të Kosovës” dhe kërkoi një rekalibrim të menjëhershëm të qasjes nga ana e Qeverisë.
“Pezullimi i kësaj nisme të rëndësisë strategjike për Kosovën, përbën një hap prapa për aspiratat ekonomike dhe diplomatike të Kosovës. Në këtë moment vendimtar, është thelbësore që Qeveria e Kosovës të ndryshojë menjëherë qasjen e saj dhe të angazhohet në një koordinim më të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë. Kosova nuk ka mbështetës dhe partner më të madh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ky realitet duhet të reflektohet në veprimet dhe vendimet e institucioneve të saj.” – tha ndër të tjera.
Oda Amerikane paralajmëroi se pa bashkëpunim konstruktiv dhe përafrim me aleatët, vendi rrezikon jo vetëm stagnim ekonomik, por edhe humbje të mundësive afatgjata për stabilitet dhe mirëqenie.
“Vetëm përmes bashkëpunimit konstruktiv dhe përafrimit me aleatët tanë më të besueshëm, Kosova mund të garantojë stabilitetin, të debllokojë mundësitë ekonomike, si dhe të sigurojë mirëqenie afatgjate për qytetarët e saj.
Oda Ekonomike Amerikane mbetet e përkushtuar në mbështetjen e avancimit të partneritetit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës dhe u bën thirrje të gjithë hisedarëve politikë e jopolitikë në Kosovë që të veprojnë me përgjegjësi dhe urgjencë për të rikthyer besimin dhe dialogun.”