Goditet Rrjeti i falsifikimit të pronave shtetërore, sekuestrohen prova dhe armë

Njësia për Hetimin e Falsifikimit të Dokumenteve nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Policisë së Kosovës, nën autorizimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka realizuar një operacion të gjerë hetimor që ka zbuluar një veprimtari të dyshuar kriminale lidhur me falsifikimin e dokumenteve të pronave shtetërore.

Pas disa muajsh hetimesh intensive, Policia ka arritur të dokumentojë se një i dyshuar, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka falsifikuar dokumente që kanë mundësuar bartjen dhe legalizimin e pronave shtetërore që ishin nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Bazuar në provat e siguruara, ndaj të dyshuarit ka dyshime të arsyeshme për kryerjen e veprave penale: falsifikim dokumentesh, legalizim të përmbajtjes së rreme, mashtrim dhe mbajtje të paautorizuar të armëve.

I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit dhe, pas vendimit të Prokurorit të Shtetit, është dërguar në ndalim policor për 48 orë. Hetimet vazhdojnë për të identifikuar bashkëpunëtorët e mundshëm të tjerë të veprimtarisë kriminale.

“Gjatë hetimeve është konstatuar se i dyshuari, në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka falsifikuar dokumente që janë përdorur në procedura për bartje dhe legalizim të pronave nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), me qëllim të ndryshimit të pronësisë dhe tjetërsimit të pronave shtetërore në pronësi private. Pronat më pas janë shitur duke mashtruar blerësit dhe duke përfituar shuma të mëdha financiare me vlerë milionëshe”.

“Në zbatim të Urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, më datë 01.11.2025, në dy rajone të vendit, policia ka realizuar kontrolle në një shtëpi, tri banesa dhe dy garazhe që dyshohej se ishin nën mbikëqyrje të të dyshuarit. Gjatë operacionit janë sekuestruar: dokumente që lidhen me rastin (kontrata shitblerjeje, regjistra të parcelave, dosje pronash në gjuhën serbe, dokumente të paplotësuara të ish-RFJ-së); pajisje të përdorura për falsifikim (pesë makina shkrimi të vjetra dhe një pajisje “Paper Trimmer”); një revole e tipit Zaragio me 103 fishekë; një telefon iPhone 17 Pro, një orë dore Rolex dhe një zinxhir dore Rolex”, shkruhet në njoftimin e Policisë.

Ndërkaq, bëhet e ditus e bazuar në provat e siguruara, ndaj të dyshuarit ekziston dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e këtyre veprave penale: Falsifikim i Dokumenteve, Legalizim i Përmbajtjes së Rreme, Mashtrimi dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve

I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit dhe me aktvendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa hetimet vazhdojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm.