Procedurat gjyqësore në kontestet pronësore zgjasin shumë, thotë raporti i Grupit për Studime Juridike dhe Politike me titullin “Sfidat e Grave në Realizimin e të Drejtave Pronësore në Kosovë”. Mesatarisht në të gjithë Kosovën i merr diku katër vjet që gjykata të fillojë të shqyrtojë një padi civile, e po ashtu rreth 45 për qind e grave që kalojnë nëpër proceset e trashëgimisë heqin dorë nga trashëgimia.
Autorja e raportit dhe menaxherja e projektit nga GLPS, Dea Fetiu tha se për 11 muaj kanë monitoruar gjashtë gjykata në 60 raste me 172 seanca.
Ajo tregoi se fokusi kryesor ka qenë në rastet e trashëgimisë dhe ndarjes së pasurisë pas divorcit. Gjatë publikimit të këtij raporti, Fetiu theksoi se gjykatat përballen me mungesë të theksuar të kapaciteteve njerëzore.
“Problemi më i madhi ka qenë çështja se procedurat gjyqësore zgjasin tepër shumë, kjo është komplet e lidhur me çështjen e mungesës së kapaciteteve që kanë gjykatat për të cilat folëm në fillim. Prej rasteve të cilat kemi mundur me u mbajt që kanë qenë diku 30 raste ku e kemi ditur saktë datën kur është parashtruar padia dhe datën e mbajtjes së seancës së parë, ka dalë që mesatarisht në krejt Kosovën i merr diku katër vjet që gjykata të fillojë të shqyrtojë një padi civile. Ky numër varion shumë prej gjykatës në gjykatë, ka pasur raste sidomos në Gjykatën Themelore të Prishtinës që rastet marrin deri në nëntë vjet për të filluar. Por edhe pasi të fillojnë e shohin një tendencë shumë të madhe që të shtyhen seancat. Ka pasur raste që seancat veçse kanë filluar edhe është gjetur arsyeja e parë me të cilën kanë mundur ta shtyjnë seancën edhe menjëherë është anuluar”, theksoi ajo.
Gjithashtu, ajo tha se në shumë raste proces verbalet janë shabllone dhe se vetëm ju ndryshohet emri.
Në kuadër të këtij monitorimi, Fetiu tha se kanë vërejtur se vlerësimi i kontributit jo-financiar të grave gjatë martesës mbetet sfidues për gjykatat.
“Rreth 45 për qind e grave që kalojnë nëpër proceset e trashëgimisë heqin dorë nga trashëgimia, shpesh për shkak të presioneve të ndryshme, disa edhe vullnetarisht. Por që një prej fenomeneve që ne e kemi vërejtur që është përsëritur në rastet tona ka qenë që gratë po heqin dorë nga trashëgimia në bazë të premtimeve që po ua bëjnë familjarët, premtime që mandej nuk po zbatohen, shembull e kemi pasur një rast në Prishtinë ku një grua është bindur që të heq dorë nga trashëgimia, sepse vëllezërit e saj i kanë premtuar për një lloj marrëveshje, për një lloj kompensimi edhe ajo e ka tërhequr padinë kundër tyre, por që mandej marrëveshja nuk është zbatuar asnjëherë edhe gruaja ka përfunduar në gjykatë”, shtoi ajo.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se përkundër përpjekjeve që të ngrihet vetëdija shoqërore, dukuria e përjashtimit të grave nga prona po vazhdon.
“Si koncept vazhdon të sjell problematika edhe përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të shoqërisë civile, institucioneve që të ngrihet vetëdija shoqërore në këtë drejtim. Zvarritja e procedurave gjyqësore, çështja që u ngrit këtu nga raporti janë vlerësim besnik i asaj që u gjet nga hulumtimi dhe natyrisht që është problematik që kërkon analizë dhe zgjidhje. As nuk fillon dhe as nuk përfundon krejt problemi i drejtave pronësore në gjykatë, gjykata është vetëm një hallkë e sistemit dhe duke pasur parasysh statistikat dhe numrin shumë të madh të rasteve gjyqësore, mendoj që bartësit institucional dhe ata që bartin përgjegjësi në këtë shtet duhet të mendojnë se ku është problem dhe a duhet që të presin që çdo të drejtë qytetari i Kosovës ta realizojë në gjykatë, atëherë pse janë autoritetet tjera”, deklaroi Qelaj.
Të gjeturat nga ky raport, menaxherja e projektit “PIAKOS” në ATRC tha se duhet të shërbejnë për institucionet për adresim të tyre.
“Projekti PIAKOS ka bashkëpunuar me rreth 22 organizata të shoqërisë civile, është një projekt që ka pasur tre shtylla kryesore, fushatën e ndërgjegjësimit, këshillimet në terren të palëve që kanë nevojë për çështje pronësore dhe gjithashtu kemi marrë përsipër që të mbulojmë shpenzimet e 150 familjeve të cilat ndihmohen direkt nga projekti për të arritur deri tek certifikata e pronësisë me regjistrim kadastral…Të gjeturat që janë bërë nga GLPS për neve janë shumë të rëndësishme sepse nuk do të ndalim sot, ne do të vazhdojmë punën tonë në mënyrë që këto të gjetura të adresohen nga ligjvënësit, nga institucionet përkatëse, nga qeveria lokale dhe nga qeveria qendrore”, u shpreh ajo.
Në raportin “Sfidat e grave në realizimin e të drejtave pronësore: Një perspektivë nga monitorimi i gjykatave”, u tha se gjatë monitorimit të rasteve gjyqësore është evidentuar edhe narrativa diskriminuese sipas së cilës gratë e veja pa fëmijë nuk “meritojnë” të trashëgojnë pasurinë e bashkëshortit të tyre.