Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka treguar pesë dështimet e Qeverisë së Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian.
Klientelizmi, madhësia e Qeverisë, menaxhimi abuziv i parasë publike dhe një sektor publik jo-efiqient, si dhe mungesa e një reforme thelbësore në sistemin e drejtësisë dhe ndikim politik, janë pesë dështimet që sipas GLPS kanë ndodhur në rrugën drejt integrimit evropian.
Arbëresha Loxha, drejtoreshë ekzekutive e GLPS, tha se Kosova vazhdon të përballet me sfida serioze në rrugën e integrimit evropian.
“Nivelet e këtyre sfidave janë në dy rrafshe, së pari ajo e pamundësisë politike për t’u garantuar që perspektiva Evropiane e Kosovës është e pakontestuar nga çdo shtet anëtar i BE-së, që natyrisht reflekton në mënyrën e vendimmarrjes në Këshill të BE-së në raport me çështjet që lidhen me Kosovën. E dyta, mungesa e një përkushtimi minimal të Qeverisë dhe akterëve të tjerë politik për të zbatuar në mënyrë solide reformat e kërkuara nga ajo që tashmë njihet si politikë e zgjerimit e BE-së”, tha ajo.
Ajo përmendi pesë dështimet që sipas saj kanë ndodhur në rrugën drejt integrimit evropian.
“Klientelizmi, madhësia e Qeverisë, menaxhimi abuziv i parasë publike dhe një sektor publik jo-efiqient. Mungesa e një reforne thelbësore në sistemin e drejtësisë dhe ndikimi politik”, tha ajo.
Sa i përket premtimeve që krerët e shtetit po japin për liberalizimin e vizave, ajo tha se nuk ka ndonjë perspektivë që liberalizimi të ndodh gjatë këtij viti.
“Kemi pa premtime vetëm prej politikanëve tanë, por nuk kemi parë premtime nga institucionet ndërkombëtare. Kemi shumë çështje që po pengojnë që BE po i lidhë dhe nuk kemi ndonjë perspektivë të qartë se liberalizimi mund të ndodh këtë vit”, tha ajo.