GLPS mirëpret heqjen graduale të masave nga BE

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka mirëpritur vendimin e BE-së për fillimin e heqjes së masave ndaj Kosovës, ndonëse tha se ky vendim është i vonuar.

“Masat ishin të padrejta, vendosja e tyre ishte gabim, ndërsa lënia e tyre në fuqi për një kohë kaq të gjatë ishte gabim edhe më i madh”, tha grupi në një komunikatë për media.

GLPS, që tha se ka qenë organizata e vetme që ka monitoruar masat dhe ka publikuar hulumtim mbi to, shtoi se sipas vlerësimit të tyre masat i kanë kushtuar Kosovës së paku mbi 100 milionë euro në kosto oportune, kryesisht në projekte të IPA të dedikuara për sundim të ligjit, demokraci, infrastrukturë etj.

“Po ashtu, vlen të ceket se ato edhe kanë dëmtuar rëndë kredibilitetin e BE. Më konkretisht, përderisa autorët e sulmit të Banjskës enden të lirë në Beograd dhe takohen me ministra shtetërorë, qytetarët e Kosovës të jenë nën masa të BE”.

GLPS tha se formimi i institucioneve do të krijonte momentum pozitiv për heqjen e plotë të këtyre masave.

“Vetëm heqja e plotë e masave do të mund të krijonte vullnet të mirë për përshpejtimin e reformave në rrafshin e  integrimit evropian e sidomos në dialog me Serbinë. Në këtë kontekst, Përfaqësuesja e Lartë Kaja Kallas ka një mundësi të artë për zhbërjen e dëmit të paraardhësit të saj ndaj dialogut dhe kredibilitetit të BE-së. Fillimi i heqjes së këtyre masave përbën ogur të bardhë dhe shpresojmë që ky është një sinjal pozitiv për rikthimin e balancit në ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi’.

GLPS thotë se do të vazhdojë monitorimin e masave deri në heqjen e plotë të tyre dhe integrimin evropian në përgjithësi.

“Shpresojmë se vizita e znj. Kallas përbën një kapitull të ri në marrëdhëniet e Kosovës me BE”./Express/