GLPS: Dështimi i krijimit të institucioneve të reja do të cenojnë miliona euro për Kosovën

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka ngritur shqetësimin që dështimi i krijimit të institucioneve të reja do të cenojnë miliona euro për Kosovën, në kuadër të Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian.

Hulumtuesi në GLPS, Besar Gërgi, në një konferencë për media të premten, tha se mjetet e parapara për Kosovën rrezikojnë të kthehen në pikën zero.

Disbursimi i mjeteve të parafinancimit për Kosovën është i ndërlidhur me miratimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend, të cilat, për shkak të pamundësisë së konstituimit të legjislaturës së nëntë, nuk mund të ndodhin tani.

Plani i Rritjes është një kornizë e re e BE-së për përshpejtimin e reformave për integrim evropian të tërë rajonit, që kombinon reformat me kontribut të drejtpërdrejtë financiar nga fondet e BE-së në buxhetet e vendeve përfituese dhe projekte investuese. Me zbatimin e këtyre reformave, Kosova do të përfitojë deri në 882,6 milionë euro fonde të BE-së. Nga kjo shumë totale, 253,3 milionë euro janë grante, ndërsa pjesa tjetër prej 629,3 milionë eurosh janë hua afatgjata.