Gllabërimi i buxhetit| 188 mijë litra naftë për xhipat e pushtetit

Mbi 200 mijë euro derivate për rezervuaret e xhipave të pushtetit u shpenzuan vetëm brenda një viti.

Pothuajse në çdo tubim që kam pasur me qytetarë, unë jam ndeshur me njerëz të cilët më kanë thënë: Edhe ju kur do të shkoni në institucione, do të keni truproja, do të hipni në gjipa, do të bëni biznese, do të pasuroheni, do të korruptoheni”, thoshte Albin Kurti më 2013.

Ky ndoshta është parashikimi më i qëlluar mbi atë se si do të transformohej Vetëvendosje 12 vjet pas kësaj interviste.

Njeriu që dikur sulmonte brutalisht pushtetarët me privilegje, me xhipa, sot është një nga ata që as për një birrë në qytet nuk del pa një armatë bodigardësh të mbrojtjes së afërt.

Luksi i shfrenuar e karriget e buta të xhipave që e shoqërojnë kudo kryeministrin në detyrë po e gllabërojnë edhe buxhetin e shtetit.

Në disa të dhëna që ka siguruar VOX Kosova përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, del se vitin e kaluar u shpenzuan 188 mijë e 651 litra derivate për xhipat e zi që përcjellin VIP-at e pushtetit. Bashkë me Kurtin, janë 20 të tillë, siç na tha policia, që përcillen nga do që shkojnë, 24/7.

Në total i bie se u dhanë mbi 200 mijë euro për 365 ditë, vetëm për naftë, vetëm për veturat e truprojave.

Si VIP-a, siç policia u referohet, u trajtuan edhe vajzat e presidentes Vjosa Osmani, kur deri në një qendër tregtare u përcollën me eskortë të policisë e shumë truproje.

Apo kur burri i saj, Prindoni, shkoi për një kafe në veri, i përcjellur nga mbrojtja e afërt që u kujdes t’ia vendoste edhe shkallën e veturës.

“Nuk të bën xhipi njeri të mençur. Kur nuk je njeri i mençur, badihava hip në xhip. A po kupton? As kur nuk je patriot, nuk je i guximshëm, kot hip në xhip”, thoshte Kurti.

E sot, duket se vetëm rezervuari i mbushur plot i bën të ndihen të fortë.