Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka paralajmëruar ‘goditje të forta’ për deputetin e PSD-së, Dardan Molliqaj.
Këtë e bëri të ditur zyrtari i VV-së, Valdrin Ahmeti, i cili në llogarinë e tij Instagram, ka postuar një fotografi me Konjufcën, teksa ka thënë se “Glauku po thotë që për të enjten i ka ca goditje të forta”, ka shkruar zyrtari i partisë së Albin Kurtit, gjersa nuk ka dhënë detaje se për kë bëhet fjalë.
Burime të Gazetës Blic, brenda Lëvizjes Vetëvendosje, kanë konfirmuar se paralajmërimi i Konjufcës është për Dardan Molliqajn, teksa nuk kanë dhënë më shumë detaje.
“Po, për Dardanin është diçka. Për cka e qysh nuk mund të flas”, ka thënë burimi i Gazetës Blic, brenda Lëvizjes Vetëvendosje.
“Goditja” e Konjufcës pritet të bëhet në tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje, këtë të enjtë, duke filluar nga ora 18:00, që do të mbahet në Sallën e Kuqe, në Prishtinë.
Ish-sekretari i VV-së, tani deputet i PSD-së, Dardan Molliqaj, prej që ka dalur nga partia e Kurtit, ka pasur përplasje me Glauk Konjufcën.