Mandatari i dytë për formimin e Qeverisë së Kosovës, Glauk Konjufca, ende nuk ka siguruar tri nga dhjetë votat e deputetëve të komuniteteve jo shumicë. Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane, deputetja boshnjake Duda Bale dhe deputeti nga komuniteti goran, Adem Hoxha, nuk votuan as mandatarin e parë, Albin Kurti, për shkak të mungesës së marrëveshjeve paraprake dhe plotësimit të kërkesave të tyre.
Berisha ka deklaruar për RTV21 se është i gatshëm të takohet me Konjufcën, por për të dhënë votën e tij kërkohet një marrëveshje paraprake. Ai tha:
“Besoj se qëndrimin tim e dini se nuk jam pengues. Nëse më kontaktojnë, jam i gatshëm për takim, do të flasim dhe mandej e shohim se si do të veprojmë. Nuk kam vija të kuqe për askënd, por marrëveshja paraprake është thelbësore.”
Sipas hulumtuesit Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës, seanca për votimin e Qeverisë duhet të thirret brenda 15 ditëve nga data e mandatarit të dytë, duke filluar nga 5 nëntori, data kur presidentja Vjosa Osmani e mandatoi Konjufcën. Nëse edhe mandatar i dytë dështon të sigurojë shumicën prej 61 votash, presidentja ka kompetencë që të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 40 ditëve.
‘’Sipas Kushtetutës dhe disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është sqaruar se nëse dështohet në raundin e parë për formimin e Qeverisë atëherë presidenti i shtetit ka kompentencë që të caktojë një mandatar tjetër i cili sipas procedurës së njëjtë duhet që brenda 15 ditësh nga dita e nominimit që të dal para Kuvendit dhe të këkrojë votëbesimin për kabinetin e tij qeveritar. Ky afat rrjedhë nga momenti kur presidentja Osmani ka dekretuar Glauk Konjufcën mandatar tjetër për formimin e Qeverisë. Nga data 5 e deri më 19 nëntor Kuvendi i Kosovës ka kohë të mblidhet”, tha Bugaqku
Në seancën e 26 tetorit mandatari i parë, Albin Kurti, arriti t’i sigurojë 56 vota për, 52 kundër dhe 4 abstenime. Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmanip mandataoi kandidatin e dytë nga LVV-ja, Glauk Konjufcën, për zgjedhjen e të cilit nga LVV-kanë shprehur besimin se brenda 15 ditësh të afatit kushtetues mandatari i ri do të arrijë t’i sigurojë 61 vota të nevojshme.
Deri më tash zyrtarisht të gjitha subjektet politike parlamentare shqiptare: PDK, LDK, AAK dhe Nisma Socialdemokrate kanë thënë se nuk kanë votë për Glauk Konjufcën, me arsyetimin se mandatari nuk trashëgohet në mungesë të numrave të nevojshëm.












