Tri praktika të korrupsionit si më të përhapura në Kosovë janë ryshfeti, informaliteti, favorizimi i miqve dhe anëtarëve të familjes në institucionet publike. Dy të tretat e bizneseve mendojnë se nuk mund kryejnë punë pa dhënë ryshfet, ndërsa pothuajse gjysma e bizneseve deklarohen se nuk mund të zhvillohen pa korrupsion.
Kështu u tha sot konferencën “Korrupsioni nga ana e ofertës: Perspektiva e bizneseve” të organizuar nga Instituti Riinvest.
Sipas këtij raporti, 20 për qind e bizneseve të anketuara janë në gjendje të japin ryshfet pa iu kërkuar, ndërsa rreth 90 për qind e bizneseve të anketuara mendojnë se ka korrupsion.
Drejtori ekzekutiv në Institutin Riinvest, Alban Hashani theksoi se korrupsioni prej anës së ofertës krijon probleme në ekonomi dhe krijon pabarazi.
Hashani tha se të gjeturat korruptive janë shqetësuese, përderisa shumica e bizneseve të anketuara nuk kanë besim edhe tek institucionet përkatëse për luftimin e këtij fenomeni.
Sipas tij, Instituti Riinvest me partner është duke zbatuar projektin “Kodi dhe Koalicioni i bizneseve kundër korrupsionit”, me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit të akterëve kryesorë brenda komunitetit të biznesit në Kosovë mbi rëndësinë e zhvillimit të parimeve etike për të reduktuar korrupsionin dhe dhënien e ryshfetit nga bizneset (ana e ofertës së korrupsionit).
Ai tha se nga rezultatet kyçe të këtij projekti pritet të jetë miratimi i Kodit Kundër Korrupsionit, i nënshkruar nga shoqatat kryesore të bizneseve dhe udhëheqësit e bizneseve dhe krijimi i një Komiteti Drejtues për të stimuluar dhe ndjekur zbatimin e këtij Kodi.
Ambasadori i Norvegjisë në Prishtinë, Per Strand Sjaastad, theksoi se fenomeni i korrupsionit është dukuri e rëndë për zhvillimin e ekonomisë dhe krijimin e konkurrencës së barabartë. Sipas tij, komuniteti i biznesit mund të luajë një rol të rëndësishëm për parandalimin e korrupsionit.
Ndërsa, Muhamet Mustafa nga Instituti Riinvest duke vlerësuar raportin “Korrupsioni nga ana e ofertës: Perspektiva e bizneseve” për gjendjen jo të mirë të bizneseve në vend, tha se gati gjysma e bizneseve të anketuara mendojnë se nëpërmjet korrupsionit do të sigurojnë zhvillimin afatgjatë.
Edhe Berat Rukiqi nga OEK tha se të gjeturat korruptive nga ky raport janë fenomen shqetësues, ndërsa theksoi se nxitja dhe presioni për korrupsion vjen nga kërkesa ose institucionet publike, sepse ka nivel minimal llogaridhënës dhe ka një shkallë të lartë të informalitetit.
Ndërsa, Afrim Atashi nga Agjencia Kundër Korrupsion, pranon se në bazë të këtyre të dhënave të prezantuara sot në këtë tryezë tregojnë parregullsi në fushën e bizneseve, mirëpo mendon që nuk janë edhe shumë reale këto statistika.
Në fund janë dhënë edhe katër rekomandime për komunitetin e biznesit dhe për institucionet publike, që mund ta përmirësojnë gjendjen korruptive te bizneset.