Qeveria e Kosovës ndau ditë më parë 500 mijë euro për Gazën, ndërsa ende nuk ka ndarë mjetet e premtuara për rimbursimin e dëmeve nga vërshimet e disa viteve më parë, që shkaktuan humbje të mëdha, përfshirë edhe viktima në njerëz.
Milaim Ademaj, familjar i viktimave të vërshimeve, rrëfen se ende nuk ka marrë ndihmë nga shteti mjaftueshëm, pavarësisht se humbi dy familjarë dhe shtëpia e tij u bë e pabanueshme, njofton Klankosova.tv.
“Komisioni e ka vlerësuar dëmin 40 mijë euro, por kjo është shumë e vogël. Unë humba dy familjarë dhe asgjë tjetër nuk na është dhënë. Tani jetojmë me qira, paguajmë vetë, sepse shtëpia na është prishur. Kam edhe dy djem të tjerë me familjet e tyre, që do të thotë se kemi tri qiraja për të paguar”, tha Ademaj, në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova.
Edhe fermeri Smajl Balaj nga Skenderaj tregon për humbjet e pësuara, duke theksuar se ndihma nga shteti ka munguar.
“Bujqësia është dëmtuar tre vitet e fundit, por kompensimi nuk u bë në asnjë mënyrë. Unë kam pasur rreth 25 mijë euro dëme, por qeveria nuk më ka mbuluar asgjë”, tha Balaj.
Ndiqni diskutimin e plotë, në videon në vijim: