Michael Oliver, gjyqtari i njohur i Ligës Premier, është ndaluar të drejtojë ndeshje të një skuadre angleze, ndërsa PGMOL (Organizata e Gjyqtarëve Profesionalë të Futbollit) po kryen një hetim mbi abuzimet që ai dhe familja e tij kanë marrë pas një vendimi kontrovers gjatë ndeshjes mes Arsenalit dhe Wolves.
Oliveri vendosi të dëbojë Myles Lewis-Skelly të Arsenalit për një ndërhyrje të rëndë ndaj Matt Doherty gjatë gjysmës së parë të ndeshjes.
Ky vendim shkaktoi polemika të mëdha midis tifozëve dhe u kritikua ashpër nga disa ish-lojtarë dhe komentatorë, përfshirë Alan Shearer.
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, tha se ishte “absolutisht i zemëruar” nga vendimi i gjyqtarit, megjithëse disa tifozë menduan se vendimi, edhe pse i ashpër, ishte i kuptueshëm pasi u shfaq një kënd tjetër i incidentit.
PGMOL nxori një deklaratë të dielën, duke konfirmuar se është nisur një hetim pasi Oliver dhe familja e tij kanë marrë kërcënime “të neveritshme” pas ndeshjes në Molineux.
Në deklaratë thuhet: “Policia është në dijeni dhe janë nisur disa hetime. Ne po mbështesim Michael-in dhe të gjithë ata që janë të prekur, dhe jemi të vendosur të luftojmë këtë sjellje të papranueshme.”
Nuk është ende e qartë nëse Oliver do të vazhdojë të drejtojë ndeshje të Arsenalit këtë sezon si pasojë e hetimeve dhe kërcënimeve që ka marrë.
Ashtu si disa gjyqtarë të tjerë që operojnë në elitën e futbollit anglez, Oliveri tashmë është i ndaluar të drejtojë ndeshje të një klubi tjetër të Ligës Premier.
Oliver, i cili është 39 vjeç dhe ka lindur në Ashington, është një tifoz i Neëcastle United dhe për këtë arsye nuk mund të drejtojë ndeshje zyrtare ku marrin pjesë ata (Newcastle) ose rivalët e tyre, Sunderland.
Peter Bankes dhe Darren Bond po ashtu nuk drejtojnë ndeshje të Liverpoolit ose Evertonit, pasi kanë lindur në Merseyside. Ndërkohë, Craig Pawson, i cili është tifoz i Sheffield United, nuk mund të drejtojë as ndeshje të tyre, as të Sheffield Wednesday.