Gjyqtarët pranuan provat e një dëshmitari me arsyetimin se ndaj tij pati ndikime, Apeli ia rrëzon ankesën mbrojtjes së krerëve të UÇK-së

Gjykata e Apelit me seli në Hagë e ka rrëzuar një tjetër ankesë të mbrojtjes së krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Fjala është për disa prova të cilat ishin pranuar në gjykim, të një dëshmitari ndaj të cilit ishte konstatuar se pati ndikim të palejueshëm.

“Më 10 nëntor, Paneli i Apelit lëshoi një vendim mbi Apelin e Përbashkët të Mbrojtjes kundër vendimit të Panelit të Apelit për të pranuar si prova deklaratat me shkrim dhe provat materiale shoqëruese të një dëshmitari, për të cilin Trupi Gjykues konstatoi se ndaj tij ishte ushtruar ndikim i palejueshëm, çka bëri që ai të mos jepte dëshmi”, u njoftua në konferencë e përjavshme për media.

Apeli konstatoi se trupi gjykues mund të pranojë prova nëse konstaton se ndaj dëshmitarit ka pasur kërcënime apo frikësim.

“Sipas rregullës 155, Trupi Gjykues mund të pranojë prova në formën e deklaratave me shkrim, në veçanti në qoftë se është bindur se mosparaqitja e personit ose mosdhënia e dëshmisë është ndikuar thelbësisht nga ndërhyrje të palejueshme, si kërcënim, frikësim, lëndim, ofrim parash, ose shtrëngim. Sipas rregullores, Trupi Gjykues duhet të vlerësojë gjithashtu nëse janë përmbushur kushte të tjera të caktuara, përfshirë që dëshmia e propozuar, ose një dëshmi e barasvlershme, me të nuk mund të merret ndryshe dhe se pranimi i provave me shkrim është në interes të drejtësisë”, tha zëdhënësja e Gjykatës Speciale.

Për pasojë, Apeli i Speciales rrëzoi ankesën e avokatëve, dhe konstatoi se gjyqtarët nuk kanë bërë asnjë gabim kur i kanë pranuar si prova ato dëshmi.

“Paneli i Apelit konstatoi se Trupi Gjykues nuk gaboi që i pranoi provat dhe theksoi se duhet bërë dallimi midis vendimit të Trupit Gjykues për të pranuar provat me shkrim të dëshmitarit dhe vendimit të Trupit Gjykues për peshën që do t’u jepet atyre përfundimisht, që do të vlerësohet në fund të procesit të gjykimit bazuar në tërësinë e provave. Në veçanti, Paneli i Apelit rikujtoi se Rregullorja nuk i lejon Trupit Gjykues të bazojë verdiktin e fajësisë vetëm, ose në masë vendimtare, në provat e një dëshmitari që Mbrojtja nuk ka pasur mundësinë ta marrë në pyetje”, tha Angela Griep, zëdhënëse e Gjykatës Speciale.

Javën e ardhshme në Hagë do të dëshmojë dëshmitari i fundit i mbrojtjes, Wesley Cark. Dëshmia e tij do të fillojë të hënën.