Prishtinë – Në gjykimin për vrasje dhe armëmbajtje pa leje ndaj Shkumbin Kryeziut, dëshmitari Gojart Sejdiu tha se të akuzuarin e ka shok dhe se momentin kritik nuk e kishte parë.
Sejdiu tha se qëndron pranë deklaratave të dhëna gjatë fazave të hetimit dhe atyre para gjykatës.
Dëshmitari Sejdiu tha se shtëpia e tij është në afërsi të shkollës “Ahmet Gashi”, ku edhe kishte ndodhur rasti.
Ai rrëfeu se si i ndjeri V.Xh. kishte ardhur me dajën e tij me makinë dhe e kishte sharë me familje vëllain e të akuzuarit.
Pasi kishte ndodhur sharja, vëllai i Kryeziut së bashku me të ndjerin kishin filluar të ofroheshin mes vete dhe i ndjeri e kishte goditur me këmbën e tij vëllain e Kryeziut në gju, i cili ishte rrëzuar.
Më pas kishte ardhur, sipas Sejdiut, i akuzuari Kryeziu, por situatën nuk e ka parë sepse ishte larguar nga vendi.
Dëshmitari Sejdiu sqaroi se deklaratën në polici e kishte dhënë në prani të prindit të tij, pasi që ishte i mitur.
Ai shtoi se nuk është në dijeni nëse kanë pasur probleme në të kaluarën mes vete i ndjeri dhe i akuzuari Kryeziu.
Tutje, Sejdiu tha se nuk ka biseduar me familjarë të të akuzuarit para se të japë dëshminë për këtë rast, duke shtuar se gjatë shkollimit të mesëm kishte rezultate shembullore.
Për dëshmitarin Mirsad Haxholli, gjykata mori vendim pas propozimit të palës së dëmtuar, përfaqësuesit, avokatit Alban Krasniqi, që në gjykimin e ardhshëm të prezantojë eksperti psikiatrik për të sqaruar konstatimet mbi Haxhollin.
Më pas seanca u ndërpre për të vijuar gjatë muajit dhjetor.
Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës më 25 korrik 2024 e kishte dënuar të akuzuarin Kryeziu me 20 vjet burgim.
Ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit me vendimin e përpiluar më 5 shkurt 2025, përmes të cilit thuhet se në rigjykim duhet të administrohen edhe një herë provat, të vlerësohet mendimi i ekspertit mjeko-ligjor nëse ftohet edhe një herë, të shihet nga Agjencia Kosovare e Forenzikës (AKF) ekzaminimi i mjetit të sekuestruar, e që nëse nuk është bërë ekzaminimi, të bëhet i njëjti.
Ndryshe, për veprën penale “Mbajtje në pronësi të paautorizuar të armëve”, Kryeziu kishte pranuar fajësinë më 16 janar 2023 gjatë shqyrtimit fillestar.
Kurse, për të miturin A.K. është zhvilluar një procedurë tjetër dhe i njëjti është dënuar tashmë.
Sipas aktakuzës së ngritur më 29 dhjetor 2022, thuhet se më 10 dhjetor 2021, rreth orës 21:25, në rrugën “Tom Lantosh” në fshatin Hajvali, Komuna e Prishtinës, i akuzuari Shkumbin Kryeziu me të miturin A.K., në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve”.
Në aktakuzë thuhet se pasi kanë zbritur nga autobusi dëshmitari Kujtim Pacolli me tani të ndjerin V.Xh., në të cilin autobus ishte edhe i pandehuri Shkumbin Kryeziu, tani i ndjeri V.Xh. dhe dëshmitari Kujtim Pacolli janë nisur në drejtim të shtëpisë së tyre, duke i rënë rrugës më të shkurtër në oborrin e shkollës “Afrim Gashi” në Hajvali, ku në oborrin e shkollës ishin i mituri A.K., dëshmitarët Gojart Sejdiu dhe Mirsad Haxholli, ku i mituri A.K. i drejtohet tani të ndjerit V.Xh. me fjalët “çka po më kqyr?”.
Ndërsa tani i ndjeri V.Xh. thuhet se ia kthen duke e sharë nga distanca prej rreth 3 metrash, dhe në të njëjtin moment i mituri A. nxjerr thikën nga xhepi i djathtë, derisa dëshmitari Kujtim ka reaguar menjëherë duke i thënë tani të ndjerit V.Xh. “ik se ka thikë”. Në ato momente ka arritur i pandehuri Shkumbin Kryeziu, i cili me thikë në dorë, së bashku me të miturin A.K., e kanë ndjekur tani të ndjerin V., me të cilin në ikje ishte dëshmitari Kujtim Pacolli. Ky i fundit është rrëzuar, ndërsa i pandehuri Shkumbin dhe i mituri A. kanë vazhduar ta ndjekin tani të ndjerin V., të dy me thika në duar dhe nga hakmarrja për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme që kishte i pandehuri Shkumbin Kryeziu me të ndjerin V.Xh., me dashje që ta privojnë nga jeta, i pandehuri Shkumbin dhe i mituri A. e godasin me thika në trup tani të ndjerin V.
Ata kanë vazhduar ta ndjekin dhe, derisa ishte duke shkuar dëshmitari Kujtim në drejtim të tani të ndjerit V.Xh., i pandehuri dhe i mituri i janë vërsulur me thika në dorë dëshmitarit Kujtim, duke i thënë: “Ik se ta bajna ma zi se atina.”
Sipas aktakuzës, dëshmitari Kujtim ka vazhduar në drejtim të tani të ndjerit V., i cili në ato momente ishte ende duke ikur, kur përnjëherë ishte rrëzuar për tokë dhe ka qenë i tëri i mbuluar me gjak, duke iu drejtuar dëshmitarit Kujtim me fjalët “thirre emergjencën”, e pas kësaj nuk ka qenë në gjendje të flasë, ndërsa rreth orës 23:25 ka ndërruar jetë në QKUK, si pasojë e plagëve të marra.
Me këtë, i pandehuri Shkumbin Kryeziu akuzohet se në bashkëkryerje me të miturin A.K. ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par. 1 pika 1.8 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Sipas dispozitivit të dytë, në vendin, kohën dhe ditën e njëjtë si në dispozitivin I të kësaj aktakuze, i pandehuri Shkumbin Kryeziu, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armë, ka mbajtur në pronësi armë, përkatësisht një thikë me gjatësi 6 cm, me mbishkrimin “Leatherman Sidekick”, të cilën e ka përdorur për ta kryer veprën penale si në dispozitivin I të aktakuzës dhe të cilën policia e ka gjetur dhe sekuestruar nga i pandehuri Kryeziu gjatë arrestimit të tij.
Me këtë, i pandehuri Shkumbin Kryeziu ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.












