Gjykimi për Banjskën, dorëzohet kallëzim penal ndaj katër dëshmitarëve për deklarim të rremë

Avokati Naim Rudari, i cili është përfaqësues i policit të dëmtuar në rastin “Banjska”, Alban Rashitit, ka njoftuar se ka dorëzuar kallëzim ndaj katër dëshmitarëve në këtë rast për deklarim të rremë dhe vepra tjera penale.

Kallëzimi penal është dorëzuar kundër Rade Nedeljkovic, Veljo Ilic, Marko Savic dhe Ivan Filimonovic. Rudari u është referuar datave 22 dhe 24 korrik 2025, kur në gjykatë janë ftuar që të dëgjohen në cilësi të dëshmitarëve dy persona të, që thotë se “kishin parë e kishin mësuar shumë për rastin dhe anëtarët grupit terrorist dhe se ato që dinin i kanë deklaruar më heret në polici e prokurori”, shkruan Reporteri.net.

“Ata, përveç se kishin ndihmuar grupin terrorist që të strehohen në hotelin Rajnska Banja në fshatin Bajnskë, kishin premtuar se personat e armatosur (terroristët) do t’i evidentojnë si punëtorë të hotelit për t’i maskuar që mos të arrestohen, i kanë lejuar që të u japin ndihmë të plagosurve në hotel e më pas duke i zhveshur uniformat për t’i ndërruar me rroba civile ua kanë mundësur largimin nga fshati Bajnskë, kështu këta “dëshmitarë” kanë vendosur edhe në gjykim të DEKLAROJNË RREJSHËM duke mbrojtur kriminelët me dëshminë e tyre e duke u munduar që të mohojnë ato që kishin deklaruar me pare”, ka shkruar Rudari.

Rudari ka thënë se dëshmitarët detyrohen të deklarojnë të vërtetën.

Ai ka kërkuar hetim sa më parë nga Prokuroria.

“… edhe pse provat janë në dorën tonë por me hetim do të sigurohen edhe shumë prova për personat që kanë ndihmuar grupin terrorist në Bajnska në forma të ndryshme sepse këtë ua kemi borxh familjes Bunjaku, zyrtarit policor Alban Rashiti, gjithë Policisë së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës që mbi këto veprimtari kriminale të Serbisë mbi Kosovë të ketë ndriçim të plotë e drejtësi duke gjykuar ata që me vepra terroriste sulmuan rendin juridik të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Rudari.