Gjykata Themelore në Prishtinë me vendimin e datës 3 mars 2025 ka konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” ndaj kryetarit të Kuvendit- Glauk Konjufca, deputetit Pal Lekaj, si dhe ish-deputeteve Aida Dërguti dhe Besa Baftiu.
Në këtë rast, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, deputetët Pal Lekaj dhe Time Kadrijaj, si dhe ish-deputetet Besa Baftiu, Aida Dërguti dhe Teuta Haxhiu, akuzohen për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në objektin e Kuvendit në dhjetor të vitit 2015, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Me këtë vendim, Gjykata ka hudhur aktakuzën dhe pushuar proceurën penale ndaj Haxhiut dhe Kadrijajt për armëmbajtje pa leje, si dhe ndaj Konjufcës, Lekajt, Baftiut dhe Dërgutit për “Pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, të dyja këto për shkak të parashkrimit.
Përgjigje në kërkesat e mbrojtjes për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës kishte parashtruar Prokurori i Shtetit, duke propozuar që të njëjtat të refuzohen si të pabzuara dhe të caktohet shqyrtimi gjyqësor sepse ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale që iu vihen në barrë.
Gjetjet e Gjykatës lidhur me konfirmimin e aktakuzës për veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”
Gjykata ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për kundërshtim të provave dhe për hudhje të aktakuzës të parashtruar nga mbrojtësja e Konjufcës- avokatja Arbnora Zeqiri, nga mbrojtësi i Lekajt- avokati Musa Damati, nga mbrojtësi i Dërgutit- avokati Isa Salihu dhe ajo e mbrojtësit të Baftiut- avokatit Naim Rudari.
Sipas vendimit të Gjykatës, ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprën në fjalë dhe se Prokuroria nuk ka shkelur prezumimin e pafajësisë.
Në vendim thuhet se aktakuza është ngritur bazuar në standardin e kërkuar sipas Kodit të Procedurës Penale dhe se standardi më i lartë i të provuarit përtej dyshimit të bazuar mirë do të vërtetohet gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Aty thuhet se i pabazuar është pretendimi që të shpallet e pambështetshme prova- raporti për analizimin dhe krahasimin e provave të njësisë për trajtimin e mjeteve të improvizuara eksploduese, pasi që sipas gjykatës jepen sqarime të mjaftueshme lidhur me mjetin e përdorur dhe se prova nuk është e mbështetur në thashetheme.
Gjithashtu, edhe pretendimi tjetër që CD dhe DVD të shpallen si prova të papranueshme, Themelorja vlerëson se nuk qëndron, pasi që dihet origjina e provave dhe se nuk janë të mbështetura në thashetheme apo në dukje të parë prova nuk duket e pabesueshme.
Sipas Gjykatës, provat e marra për të vërtetuar dyshimin e bazuar mirë me rastin e ngritjes së aktakuzës për përdorim arme ndaj Konjufcës, Lekajt, Dërgutit dhe Baftiut janë marrë në mënyrë të ligjshme dhe konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.
Gjykata ka konstatuar se aktakuza përmban cilësimin juridik përkitazi me përshkrimin faktik.
Gjetjet e Gjykatës për hudhje të aktakuzës ndaj Haxhiut dhe Kadriajt për armëmbajtje pa leje
Në këtë pjesë të vendimit, Gjykata e ka gjetur të bazuar pretendimin e mbrojtësit të Haxhiut, avokatit Nexhat Shabani dhe mbrojtësit të Kadrijajt, avokatit Ali Ajeti, duke hudhur kështu aktakuzën për armëmbajtje pa leje ndaj dy të akuzuarave.
Sipas Themelores, vepra penale në fjalë ka arritur afatin e parashkrimit relativ të ndjekjes penale.
“Në këtë gjykatë kjo lëndë është pranuar me 24.02.2016, ndërsa te gjyqtari i çështjes me datën 23.07.2024, kështu që në këtë lëndë është arritur parashkrimi relativë i ndjekjes penale”, thuhet në vendim.
Gjetjet e Gjykatës për hudhje të aktakuzës ndaj Konjufcës, Lekajt, Baftiut dhe Dërgutit për “Pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”
Për këtë pikë të aktakuzës, Gjykata ka gjetur se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale, pasi që vepra penale sipas aktakuzës pretendohet të jetë kryer më 14 dhjetor 2015, ndërsa parashkrimi absolut ka arritur më 14 dhjetor 2021.
“…parashkrimi i ndjekjes penale fillon nga data kur është kryer vepra penale dhe kur të ketë kaluar dyfishi i kohës që kërkohet në bazë të ligjit për parashkrimin dhe sipas nenit 107, par.8 të KPRK-së, ku theksohet se ndjekja penale ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit”, thuhet në vendim.
Ndaj këtij vendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë të ankesës në afat prej 10 ditësh pas pranimit të vendimit.
Në seancën e 27 nëntorit 2024, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, deputetët Pal Lekaj dhe Time Kadrijaj, si dhe ish-deputetet Besa Baftiu, Aida Dërguti dhe Teuta Haxhiu, janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën për hedhje të gazit lotsjellës në objektin e Kuvendit në dhjetor të vitit 2015.
Çka thotë aktakuza?
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të datës 22 shkurt 2016, thuhet se Glauk Konjufca, Pal Lekaj, Besa Baftiu dhe Aida Dërguti kishin përdorur armën (gazin lotsjellës) në kundërshtim me ligjin, në atë mënyrë që më 14 dhjetor 2015 rreth orës 10:00 pas hapjes së mbledhjes plenare në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Konjufca, Lekaj dhe Baftiu, ndërsa në ora 11:00 Dërguti, në sallën plenare të Kryesisë së Kuvendit, paraprakisht kishin aktivizuar armën për shpërndarjen e gazit irritues, ku për pasojë ishte liruar gazi lotsjellës, me këtë rast deputetët e pozitës kishin lëshuar sallat.
Prandaj, me këto veprime të njëjtit ngarkohen me veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës.
Kurse, në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se Glauk Konjufca, Pal Lekaj, Besa Baftiu dhe Aida Dërguti më 14 dhjetor 2015 rreth orës 10:00 pasi që përdorin gazin lotsjellës të përshkruar si në pikën e parë të aktakuzës, duke pamundësuar qëndrimin e deputetëve brenda sallës së Kuvendit dhe Kryesisë për miratimin e ligjeve sipas rendit të ditës, përkundër vullnetit të deputetëve të cilët nuk kanë mundur t’i rezistojnë atmosferës së krijuar, për çka ka pasur ndërprerje të punimeve dhe zhvendosje të deputetëve nga sallat plenare.
Andaj me këto veprime, të njëjtit ngarkoheshin edhe për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës.
Gjithnjë sipas aktakuzës, në dispozitivin e fundit thuhet se Teuta Haxhiu dhe Time Kadrijaj më 15 dhjetor 2015 kishin në posedim armën (gazin lotsjellës) dhe me t’u hapur mbledhja në sallën e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, fillimisht Haxhiu pasi e ka pasur në posedim armën-gazin lotsjellës, të njëjtin ia jep Kadrijajt, e cila po ashtu e mban në posedim dhe pastaj ia dorëzon të akuzuarit Lekaj i cili më pastaj e përdorë të njëjtin të përshkruar si në pikën e parë të aktakuzës.
Prandaj me këto veprime, Haxhiu dhe Kadrijaj ngarkoheshin me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës.
Pra, për dy veprat e fundit ka arritur parashkrimi.