Ndjekja dhe gjykimi i veprës penale të krimeve të luftës bie në kompetencë të Prokurorisë Speciale, respektivisht Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Gjatë vitit 2025 u shpallën aktgjykime dënuese dhe liruese nga shkalla e parë, vazhdoi procesi i gjykimit për disa raste, si dhe u ngritën aktakuza të reja, prej tyre edhe të tilla në mungesë.
Përkundër procesit të avancimeve brenda sistemit gjyqësor, proceset gjyqësore ndaj të akuzuarve për krime lufte nuk janë ndikuar në kuptim të zvarritjes dhe nuk kanë pësuar shtyrje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktgjykimet dënuese që u shpallën për krime lufte gjatë 2025-ës
Gjatë vitit 2025 janë shqiptuar tetë dënime me burgim nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Sepcial, lidhur me gjykimet për krime lufte.
Dragisha Milenkoviq më 16 prill 2025 u dënua më 7 vite burgim për krime lufte në Kosovë. Kurse, për armëmbajtje pa leje u dënua me 1 mijë e 500 euro gjobë. Milenkoviq akuzohej se në cilësi të gardianit në burgun e Prishtinës dhe Lipjanit, ka torturuar në mënyrë çnjerëzore të burgosurit.
Çaslav Joliq u dënua me 5 vite e gjashtë muaj burgim për krime lufte në Komunën e Istogut. Ai u dënua për pikën A të aktakuzës së Prokurorisë Speciale, ndërsa për pikën B dhe C, kjo gjykatë nuk gjeti prova se janë kryer këto veprime. Aktgjykimi ndaj tij u shpall më 23 maj 2025 në Gjykatën Themelore në Prishtinë e cila vendosi për herë të dytë në këtë rast.
Në gjykimin e parë më 10 qershor 2024, Joliq është dënuar me 8 vite burgim. Aktakuza e ngarkonte se gjatë kohës së luftës në Kosovës në bashkëkryerje me persona të tjerë, duke i shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, ka aplikuar masat e torturimit dhe shkaktimit të vuajtjeve të mëdha apo cenimit të integritetit trupor kundër popullsisë civile.
Zoran Vukotiq më 10 qershor 2025 u dënua me 15 vite burgim, Vukotiq po ngarkohej me katër aktakuza për krime lufte gjatë viteve 1998-1999. Gjykimi u bë në një lëndë të bashkuar për të katër aktakuzat.
Sllavisha Filiq ndaj të cilit u zhvillua gjykim në mungesë, më 17 korrik 2025 u shpall fajtor dhe u dënua me 15 vite burgim nën akuzën se si pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, së bashku me dy zyrtarë tjerë, e kishin dërguar në objektin e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë mjekun Hafir Shala, ku iu ishte nënshtruar rrahjeve dhe torturave dhe se nga ajo ditë më nuk dihet për fatin e tij.
Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq po ashtu u gjykuan në mungesë dhe ndaj tyre më 28 korrik 2025 u shpall aktgjykim dënues dhe u dënuan me nga 15 vjet burgim. Rajkoviq dhe Deniq akuzoheshin se si pjesëtarë të forcave policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, gjatë luftës në Kosovë, pas fillimit të bombardimeve të NATO-s më 24 mars 1999, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kundër popullatës civile shqiptare në territorin e komunës së Prishtinës kishin marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, plaçkitjen e tyre, kryerjen e dhunës fizike dhe psiqike etj.
Millosh Pleskoviq u shpall fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 31 korrik 2025 dhe u dënua me 15 vjet burgim. Pleskoviq gjatë vitit 1998-‘99 në Prizren në bashkëkryerje me një grup serbësh të armatosur kishin vrarë tre civilë shqiptarë dhe plagosur disa të tjerë. Me ç’rast, Pleskoviq akuzohej se ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civilë, duke kryer vrasjen e viktimave.
Shaqir Lutvija më 11 nëntor 2025 u gjet fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë për akuzën për krime lufte kundër popullatës civile, duke e dënuar me 10 vjet burgim. Lutvija akuzohej se në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, gjatë periudhës kohore 1998-1999, në Prizren, gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka ushtruar masat represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor.
Sladan Trajkoviq u gjet fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë për pikën C të aktakuzës, duke u dënuar me 10 vite burgim. Trajkoviq akuzohej se gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999 në fshatin Reznik, Komuna e Vushtrrisë dhe në fshatrat përreth kësaj komune, individualisht dhe në bashkëkryerje me personat tjerë, ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, tortura, trajtim në mënyrë ç‘njerëzore, mbajtje në kushte skllavërie, dëbimin dhe deportimin e mijërave civilëve shqiptarë, si dhe masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile shqiptare që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt.
Aktgjykimet liruese në rastet e krimeve të luftës 2025
Më 16 qeshor 2025, Gjykata Themelore në Prishtinë në mungesë të provave e ka liruar nga akuza Gavrilo Milosavleviq, i cili në cilësinë e gardianit në burgun e Dubravës akuzohej për krime lufte kundër popullatës civile, saktësisht masakrën në burgun e Dubravës.
Milosavleviq akuzohej se në bashkëkryerje me njësitë policore serbe, kishin kryer vrasjen masive të të burgosurve shqiptarë, me ç’rast në ditën e incidentit kishin urdhëruar që në oborrin e burgut të dalin 1 mijë të burgosur te vendi i quajtur “Fusha e Sportit”, me pretekstin se do t’i numëronin të burgosurit dhe do t’i dërgonin në ndonjë vend tjetër më të sigurt për t’i mbrojtur të burgosurit nga bombardimet e NATO-s.
Po ashtu, ndër të tjera në aktakuzë thuhet se disa roje kishin shkuar edhe në qelinë ku ishte i vendosur edhe Ukshin Hoti, Gani Baliu, Skender Gashi, Mehmet Memqaj, dhe Shkelqim Zllanoga, ku të njëjtëve u kishin fikur dritat fillimisht dhe pastaj ju kishin drejtuar Ukshin Hotit me fjalët “Profesor sherri juaj po na ndodhin bombardimet e NATO-s”, duke e ofenduar dhe sharë gjatë gjithë kohës, sa që në një moment thuhet se rojet kishin kapur për fyti Shkelqim Zllanogën ku thuajse ia kishin ndalur frymëmarrjen.
Gjykimet për krime lufte që filluan dhe ato që vazhduan gjatë vitit 2025
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special më 30 dhjetor 2025 ka nisur gjykimin ndaj të akuzuarit Ramadan Morina, të cilin Prokuroria Specale e ngarkon për krime lufte në Komunën e Malishevës. Morina u deklarua i pafajshëm për veprën që i vihet në barrë.
PSRK-ja të akuzuarin Morina e ngarkon në tri pika të aktakuzës për vrasje, dëbim dhe shkatërrim apo plaçkitje e pasurisë. Aktakuza ka specifikuar se nga 1 mijë civilë shqiptarë të dëbuar nga disa fshatra të Malishevës, nga gratë dhe fëmijët i ndanë 35 burra civilë shqiptarë, duke i detyruar të rreshtohen, ndërsa të tjerët u detyruan që të largoheshin nën përcjelljen dhe kërcënimin e armëve, më pas një pjesëtar i forcave policore serbe shtiu rafall me një pushkë automatike në drejtim të viktimave, duke vrarë 34 civilë të nacionalitetit shqiptar.
Aktakuza thotë se i dëmtuari, dëshmitari Nuredin Morina i mbijetoi masakrës duke rënë në tokë dhe duke u shtirë sikur kishte vdekur dhe më pas arriti që pas një kohe të largohet nga vendi i ngjarjes, ndërsa të nesërmen forcat policore dhe ushtarake serbe u kthyen përsëri në vendin e ngjarjes dhe me qëllim që t’i zhduknin dhe fshihnin gjurmët e krimit, i masakrojnë trupat, i djegin dhe i shpërndajnë kufomat e viktimave nëpër rrugë të fshatit.
Dragutin Naskoviq është i akuzuari tjetër për krime lufte ndaj të cilit më 23 dhejtor 2025 ka nisur gjykimi në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Naskoviq, në cilësinë e Komandantit të Nën-Stacionit Policor në Zhegër, nuk ushtroi kontroll efektiv mbi forcat policore që ishin nën komandën e tij për t’i penguar apo për t’i ndëshkuar autorët ose për të raportuar aktet e kundërligjshme tek autoritetet përkatëse, në lidhje me vrasjet, shkatërimin e pasërisë së paluajtshme dhe dëbimin e popullsisë civile.
Në aktakuzë ndë të tjera thuhet se derisa popullata civile ka qenë në mal, në rrethana të ndryshme dhe në periudha kohore të ndryshme, forcat serbe kanë vrarë 13 civilë, mes tyre: F.J., Xh.H,, R.J., E.M., L.M., H.R., R.R., I.R., A.S., A.C. dhe L.Sh., (foshnjë 3-vjeçare), i cili u mbyt në krah të nënës së tij me kondak të pushkës, derisa ajo po e mbante në krah dhe ishte duke u kthyer në fshat. Forcat serbe i kanë vrarë me armë zjarri një nga një, me nga një të shtënë të armës, u vranë 11 anëtarë të familjeve Hyseni dhe Shabani, si dhe dy persona të strehuar, këto viktima janë: H.H., A.H., A.H., D.H., F.H., M.H., R.Sh., S.Sh., Z.Sh., F.Sh., (foshnjë 2 vjeçare), S.I., Xh.B. dhe B.H., 16 vjeçar.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 16 qershor 2025 ka nisur gjykimin në mungesë ndaj 53 të akuzuarve për masakrën e Mejës.
Të akuzuar në këtë rast janë: Momir Stojanoviq, Sreten Çamoviq, Nikola Miqunoviq, Milovan Kovaçeviq, Sergej Peroviq, Verolub Zhivkoviq, Milan Kotur, Radomir Çoliq, Dragutin Josifoviq, Franko Simatoviq, Momçilo Stanojeviq, Vllatko Vukoviq, Ilija Todorov, Stevo Kaponja, Dragan Zhivanoviq, Millosh Gjoshan, Danilo Zeçeviq, Dimitrije Rashoviq, Millosh Shçepanoviq, Predrag Stojanoviq, Aleksandar Pekoviq, Zhivko Vuksanoviq, Millutin Novakoviq, Sokol Abazi, Novica Stankoviq, Misho Popoviq, Millan Noviqeviq, Nenad Rajiçeviq, Muharrem Ibraj, Millan Slavkoviq, Dragan Isailloviq, Sasha Antiq, Zllatko Odak, Savo Lekiq, Dragan Raciq, Milladin Novakoviq, Dragan Pekoviq, Njegosh Prashqeviq, Dushan Prashqeviq, Ranko Vukadinoviq, Momçilo Stijoviq, Dushan Nedoviq, Gjokica Mihajloviq, Mirash Gegoviq, Zoran Mirkoviq, Aleksandar Miqunoviq, Llazar Drashkoviq, Mihill Abazi, Momçilo Novakoviq, Marko Abramoviq, Smajl Beqiri, Momçilo Pantiq dhe Predrag Miqunoviq.
Me këtë rast, në aktakuzë thuhet se në fshatin Mejë u vranë 283 civilë, në fshatin Korenicë u vranë 66 civilë, në fshatin Pacaj 1 civil, në fshatin Dobrosh tre civilë, në fshatin Rracaj 3 civilë, në fshatin Nec 2 civilë, në fshatin Ramoc 5 civilë, në fshatin Bishtazhin 7 civilë; gjithsej 370 civilë të nacionalitetit shqiptar, trupat e të cilëve janë gjetur në tetë varreza masive në Batajnicë në Serbisë.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë gjatë vitit 2025 ka vazhduar gjykimi edhe ndaj Millorad Gjokoviq, i cili akuzohet se në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim- Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyre mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë.
Edhe ndaj Muhamet Alidemajt ka vazhduar procesi gjyqësor në vitin 2025 pasi rasti është kthyer në rigjykim. Alidemaj më 12 korrik 2024 është shpallur fajtor dhe është dënuar me 15 vjet burgim, por Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim. Ai akuzohet se kishte marrë pjesë bashkë me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe në vrasjen e civilëve shqiptarë në masakrën e Izbicës që kishte ndodhur në mars 1999, e ku ishin vrarë e masakruar 130 shqiptarë.
Jusuf Shujak është i akuzuari tjetër i cili po ngarkohet për krime lufte në Gjakovë. Edhe ndaj tij ka vazhduar procesi gjyqësor gjatë vitit 2025. Procesi gjyqësor gjatë këtij viti u përcoll me dëgjimin e dëshmitarëve. Aktakuza ndër të tjera, të akuzuarin Shujak e ngarkon se gjatë përiudhës kohore 1989-1999, në Gjakovë, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dashje shkel rregullat e të drejtës ndërkombëtare kundër personave civilë, konkretisht neni 3 të Konventës së Katërt të Gjenevës dhe nenin 4 të Protokollit shtesë II, duke kryer vrasje, dëbim dhe shkatërrime të pasurisë së lujatshme dhe të palujatshme të popullatës civile.
Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, i pari ish-kryeshef i stacionit policor në Istog dhe i dyti ish-polic, akuzohen për krime lufte kundër popullatës civile. Ata ngarkohen për vrasje të civilëve e të burgosurve, dhunime, maltretime, arrestime, torturë, trajtim në mënyre mizore dhe çnjerëzore të popullatës civile. Gjykimi ndaj tyre vazhdoi edhe gjatë vitit 2025.
Dushko Arsiq është i akuzuari tjetër për krime lufte i cili proces tjetër gjyqësor më 21 maj 2025 ka filluar rigjykimin, pas vendimit të Apelit, me të cilin janë aprovuar ankesat e mbrojtjes. Arsiq ishte dënuar me 13 vjet burgim lidhur vrasjen e B.Sh., më 20 prill 1999 në Butovc të Prishtinës, si dhe nën akuzën se kishte maltretuar fizikisht e psiqikisht të dëmtuarin A.K,. I njëjti po ashtu akuzohej se në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe dhe grupet paramilitare, në muajt janar-qershor 1999, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e qytetarëve nga Prishtina dhe rrethina. Aktgjykimi ndaj Arsiqit u shpall më 2 shkurt 2024. Ndërsa, procesi gjyqësor vazhdoi edhe gjatë këtij viti.
Gjithashtu, gjykimi vazhdoi edhe ndaj Dragan Miloviq dhe Zoran Kostiq të cilët akuzohen se gjatë kohës së luftës në Kosovë, si pjesëtarë të forcave policore serbe, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serbë, të veshur me uniformë të policisë dhe të armatosur, kanë marrë pjesë direkt në sulmin kundër popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, plaçkitjen e shtëpive të banorëve shqiptarë, pastaj kanë djegur shtëpitë dhe vrarë civilë të paarmatosur. Në seancën fillestare më 11 qershor 2024, ata janë deklaruar të pafajshëm.
Në dhjetor 2024 nisi gjykimi edhe ndaj Sërgjan Lazoviq, i cili akuzohet se në periudhën kohore 1998-1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në fshatin Panorc, Komuna Malishevë, duke vepruar në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar, ka kryer arrestime dhe privim të kundërligjshëm nga liria, keqtrajtime fizike dhe psikike. Ndaj të akuzuarit Lazoviq, gjykimi vazhdoi edhe gjatë vitit 2025.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 3 dhjetor 2025 është mbajtur seanca fillestare ndaj të akuzuarit për krime lufte në fshatin Osek Hykë të Komunës së Gjakovës, Muharrem Ibraj.
Në aktakuzë thuhet se Muharrem Ibraj me dashje, i armatosur, i uniformuar në uniformë policore dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, ka marrë pjesë direkte në vrasjen dhe keqtrajtimin e qytetarëve civilë të nacionalitetit shqiptar që nuk ishin të përfshirë në luftë. Sipas aktakuzës, burrat e tjerë që ishin prezent u nxorën jashtë nga forcat policore, u rrahën dhe u transportuan në stacionin e policisë ku edhe më tej i sulmuan fizikisht dhe i morën në pyetje me pretekstin se ishin pjesëmarrës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe pastaj i liruan.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 22 dhjetor 2025 ka nisur procesin gjyqësor të zhvilluar në mungesë ndaj Dushan Gavraniq, Zoran Sharaq dhe Zharko Cvetanoviq.
I akuzuari Dushan Gavraniq, akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar me gradë kolonel– shef i Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Gjilan, në periudhën janar-korrik 1999, epror dhe mbikqyrës ndaj të gjithë vartësve të tij dhe me kontroll efektiv ndaj tyre dhe territorit të Komunës së Gjilani, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht më 5 prill 1999, nuk ka marrë asnjë veprim për të parandaluar, ndaluar apo për të raportuar në hierarki lidhur me vrasjet, plagosjet, djegien për së gjalli të viktimave civile shqiptare, marrjen peng, rrahjet, maltertimet, torturat fizike dhe psikike, plaçkitjet, dëbimin e popullatës civile shqiptare në fshatrat Inatoc (Kokaj), Llovcë, Pogragjë dhe Uglar.
Aktakuza, ndër të tjera ngarkon të akuzuarin Zharko Cventanoviq se në bashkëkryerje me tani të akuzuarit Dragan Cvetkoviq, Dragan Niqiq, Milosh Sosiq, Nenad Stojanoviq, Slobodan Jetviq- si pjesë e grupit kriminal, në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë tjerë të paidentifikuar të këtij grupit të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të Policisë apo Ushtrisë Serbe, gjatë periudhës së luftës në Kosovë konkretisht më 5 prill 1999 në orët e para të mëngjesit, kishin ndërmarrë një aksion në fshatrat Inatoc (Kokaj), Llovcë, Pogragjë dhe Uglar.
Aty thuhet se pasi vranë dy civilë, në një grumbull të dushkut të ndezur, i kishin vendosur viktimat Xh., dhe Rr., i cili në ato momente ishte ende gjallë dhe i kishin djegur trupat e tyre, ngjarje kjo e parë nga dëshmitar okular. Po ashtu, ngarkohen se kishin vrarë R.D., S.Xh., Xh.H., A.R., ndërsa N.H., e kishin urdhëruar që t’i grumbullonte trupat e viktimave dhe t’i vendoste mbi një grumbulll të drunjve, e pastaj e kishin urdhëruar që të shtrihet edhe vetë mbi viktimat dhe posa ishte shtrirë, kishin shtënë me automatik mbi N.H., i cili i kishte marrë dy plagë njërën në qafë dhe tjetrën në shpatullën e majtë, mirëpo iu kishte mbijetuar plagëve të marra.
E Sharaq, akuzohet se në cilësinë e mjekut në Spitalin Regjional në Gjilan, me datë 5 prill 1999, pasi që M., dhe H.R., e kishin dërguar në Spitalin e Gjilanit babanë e tyre N.R., i cili ishte i plagosur dhe në gjendje të rëndë shëndetësore, e vendosin në një dhomë të spitalit dhe i akuzuari posa e kupton se i plagosuri është shqiptar, i urdhëron dy djemtë e të burgosurit që të largohen nga spitali bashkë me të plagosurin, duke mos i ofruar asnjë ndihmë mjekësore, e si pasojë e mosdhënies së ndihmës mjekësore i plagosuri N.R., në orët e mbrëmjes ndërron jetë.
Gjithashtu, Gjykata Themelore në Prishtinë më 22 dhjetor 2025 ka nisur gjykim në mungesë edhe ndaj të tre akuzuarve për krime lufte Ljubomir Çimburoviç, Predrag Bradiq dhe Milivoje Iviq.
Ljubomir Çimburoviç akuzohet në cilësinë e drejtorit të Burgut të Qarkut në Prishtinë, Predrag Bradiq dhe Milivoje Iviq, si gardianë të Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit.
Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale ndër të tjera ngarkon të akuzarin Çimburoviç se si drejtor i burgut të Qarkut në Prishtinë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe në paralelen në Lipjan, në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të këtyre burgjeve Predrag Bradiq dhe Milivoje Iviq, gardianë të Burgut të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan dhe tashmë të akuzuarin Dragisha Milenkoviq, gardian i Burgut të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan, se duke vepruar në kundërshtim dhe duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë luftës, ka qenë gjatë gjithë kohës në dijeni dhe se nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për t’i ndaluar veprimet e gardianëve dhe nuk i kishte raportuar këto veprime në hierarki.
Aktakuza thotë se gardianët kishin formuar kordon në hyrje të burgut nga të dyja anët, ku të burgosurit ishin detyruar që të kalonin përmes kordonit, kishin filluar që t’i godasin me mjete të ndryshme si shkop gome, grushte, shqelma dhe pas kësaj në mënyrë sistematike kishin keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore, maltretuar dhe shkaktuar lëndime trupore.
Kurse, Predrag Bradiq dhe Milivoje Iviq, në cilësinë e gardianëve të Burgut të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe në paralelen në Lipjan, në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të këtyre burgjeve, drejtorin Çimburoviç dhe gardianin e Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, Dragisha Milenkoviq, ngarkohen se në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shufra metalike, kabllo elektrike, gypa të ujit, shqelma e grushte, deri në alivanosje.
Ngritja e aktakuzave në mungesë
Gjatë vitit 2025, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur disa aktakuza për krime lufte në Kosovë, e në shumicën e tyre i ka propozuar gjykatës që të mbajë gjykimin në mungesë, me arsyetimin se të pandehurit janë të paarritshëm për organet e drejtësisë, kurse janë plotësuar kushtet ligjore për ngritjen e aktakuzave në mungesë.
Kujtojmë se PSRK-ja më 15 gusht 2025 kishte dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuzë në mungesë kundër 21 të pandehurve për krime lufte gjatë viteve 1998-1999, duke akuzuar ata për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova.
Dy aktakuza në mungesë janë ngritur më 30 dhjetor 2025. E para ishte ndaj S.A., i cili ngarkohet për krime lufte gjatë viteve 1998-1999 në fshatinë Llashticë, komuna e Gjilanit. Sipas aktakuzës, më 30 prill 1999, S.A, ka marrë pjesë në vrasjen e 13 civilëve dhe në plagosjen e katër personave të tjerë.
Ndërkaq, aktakuza e dytë u ngrit ndaj 21 të pandehurve për masakrën e Reçakut. Ata akuzohen për vrasjen e 42 civilëve më 15 janar 1999.
Të akuzuarit ngarkohen se si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë dhe si pjesëtarë të MUP-it serb, kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile. Prokuroria Speciale edhe në këtë rast ka propozuar gjykim në mungesë, pasi të akuzuarit janë të paarritshëm për organet e drejtësisë.
Ndërkaq, aktakuza e fundit për 2025 u ngrit më 31 dhjetor ndaj ish-gardianit të burgut të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan.
B.T., ngarkohet se bashkë me gardian të tjerë kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë ç‘njerëzore me mjete të ndryshme, si shkopinj gome, shufra metalike, shqelma dhe grushte deri në alivanosje, duke u shkaktuar lëndime trupore dhe dhunë psikike. Po ashtu, thuhet se i kishte lënë të burgosurit pa ushqim për ditë të tëra, i kishte kanosur seriozisht për jetën dhe, si pasojë e rrahjeve të vazhdueshme dhe trajtimit ç’njerëzor, ata kanë pësuar gjendje ankthi dhe frike të vazhdueshme.
“Betimi për Drejtësi” ka dërguar pyetje në Prokurorinë Speciale për të kuptuar se sa aktakuza janë ngritur në total gjatë vitit 2025, ndaj sa të pandehurve dhe sa prej tyre kanë qenë me propozim për gjykim në mungesë.
Në përgjigjen e Prokurorisë Speciale thuhet se deri më 1 dhjetor 2025 janë ngritur gjithsej 11 aktakuza për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”. Gjatë kësaj periudhe janë akuzuar 36 persona, 33 prej tyre për gjykim në mungesë.
“Po ashtu, gjatë kësaj periudhe janë akuzuar 36 persona, prej tyre 33 persona të akuzuar për gjykim në mungesë, ndërsa janë parashtruar 8 kërkesa për caktim të paraburgimit ndaj 10 personave”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së PSRK-së, Nora Luta
Gjykimet në rastet e krimeve të luftës, të përmendura më lartë janë raste të monitoruara nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, e të cilat do të vazhdojnë të monitorohen edhe gjatë vitit 2026. /BetimipërDrejtësi










