Të pandehurit Naim Murseli dhe Granit Plava thanë se kanë vendosur që në seancën e sotme për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt të flasin përmes avokatëve me të cilët i kanë angazhuar. Kështu deklaruan në pyetjen nga kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku.
Por, kur i erdhi radha e pyetjes për të pandehurin, Kushtrim Kokalla, reagoi avokati i tij, i cili pati një mospajtim me gjykatësen, e cila i kërkoi të mos e pengojë, raporton Gazeta Express.
“Avokat, ju lutem mos më pengo, nuk ka asnjë kërkesë. Kushtrim, a i ke kuptuar të drejtat e tua….”.
Pas tij, reagoi edhe avokatja që mbron Naim Murselin.
“Nëse diçka jeni për ngut, veç ta kryejmë e të heqim atëherë na tregoni dhe jemi në rregull, mirëpo po na i mohoni të drejtat elementare që i kemi ne si mbrojtës…”, tha avokatja.
Por, gjykatësja Dermaku i tërhoqi vërejtjen me arsyetimin se ajo s’ka të drejtë të diskutojë apo të mbrojë një të akuzuar tjetër.
“Avokate a po ulësh? Ulu se ju e përfaqësoni Naim Murselin. Ligji ua ndalon që të diskutoni dhe të mbroni interesat e një të akuzuari tjetër”. I tërhiqet vërejtja mbrojtjes së të pandehurit Naim Murseli që të mos e pengojë punën e gjykatës sepse e njëjta është mbrojtjëse e të akuzuarit Naim Murseli”, tha gjykatësja.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur të mbahet seanca fillestare për vrasjen e Liridona Ademajt.
Nën forca të shumta policore, në gjykatore janë sjellë Naim Murseli, Kushtrim Kokalla, Granit Plava dhe Tomë Dodaj, të cilët ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.
Para Gjykatës janë lëshuar video-incizimet, të cilat janë dërguar si provë tek avokatët pasi mbrojtësi i Kushtrim Kokallës, Ndrecë Dodaj, pretendoi se nuk i hapeshin.
Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, tha se për këtë kishte marrë një shkresë nga Dodaj dhe tha se pas pretendimit të tij i ka provuar CD-të dhe se ato janë hapur.
në nisje të seancës deklaroi se ka marrë një shkresë nga avokati i Kushtrim Kokallës, Ndrecë Dodaj.
“Kam marrë një shkresë nga mbrojtësi Ndrecë Dodaj, që mbron Kushtrim Kokallën, i cili ka thënë që CD-të që i janë dorëzuar nuk hapen. Me një fjali thotë se ‘nuk mund të deklarohemi’. Prandaj, për këtë si kryetare e trupit gjykues, e kam njoftuar prokuroren e shtetit, lidhur me këtë shqetësim. Sot në mëngjes i kam provuar ato CD-të, të njëjtat që na janë dorëzuar edhe neve në gjykatë, ato hapen, për më tepër janë pjesë e enternal diskut, që i janë dorëzuar mbrojtjes”.
Seanca e parë për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 27 janar 2025 kishte dështuar të mbahet për shkak se mbrojtja e të akuzuarve nuk ishte pajisur me të gjitha shkresat e lëndës.
Në aktakuzën e Prokurorisë thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.
Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.