Një gjyqtare e procedurës paraprake i ka caktuar nga një muaj paraburgim Beshir Hamzës dhe babait të tij I.Hamzës, të dyshuar për përfshirje në vrasjen e imamit të xhamisë së fshatit Zlipotok të Dragashit.
Gjyqtarja e Gjykatës Themelore në Prizren e ka vlerësuar të domosdoshme vendosjen e masës së paraburgimit, për shkak të rrezikut të arratisjes së dy të dyshuarve.
Beshir Hamza, 40-vjeçar, dyshohet se e theri me thikë për vdekje imamin Gazmen Tahirovci të dielën në mbrëmje në fshatin Zlipotok.
Në një njoftim për media të enjten, Gjykata tha se Beshir Hamza dyshohet që “në mënyrë mizore dhe dinake” e ka goditur me thikë Tahirovcin në shpinë dhe qafë.
“Duke pasur parasysh peshën e rëndë të veprave penale të dyshohet se janë kryer, mënyrën dhe rrethanat ashtu që i dyshuari B.H., në mënyrë mizore apo dinake dyshohet të ketë goditur me thikë në shpinë dhe qafë viktimën ndjerin G.T., po ashtu duke shtuar faktin se i pandehuri është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është gjetur dhe arrestuar nga Policia, për Gjykatën rezulton se me lënien në liri ekziston rreziku i ikjes dhe arratisjes”, tha Gjykata në njoftim, raporton Paparaci.
I dyshuari tjetër, I. Hamza, babai i Beshir Hamzës, dyshohet për veprën penale “mosdhënie e ndihmës”.
“I pandehuri I.H., (babai i të pandehurit B.H.) dyshohet se, edhe pse ka qenë në afërsi të vendit të ngjarjes dhe ka pasur mundësi të ofrojë ndihmë pa rrezikuar veten apo të tjerët, nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’i ofruar ndihmë viktimës, e cila ndodhej në rrezik të drejtpërdrejtë për jetën”, njoftoi Gjykata.
Sipas gjyqtares, masa e paraburgimit është e arsyeshme dhe ligjore, “me qëllim të mbarëvajtjes së procedurës hetimore, nxjerrjen e provave materiale, marrjen e deklaratave të dëshmitarëve dhe të të dyshuarve dhe sigurimin e prezencës së të pandehurve para institucioneve të drejtësisë”.








