Gjykata Themelore në Prishtinë publikon raportin gjashtëmujor, efikasiteti del 189.91 për qind

Në webportalin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, tani e tutje, publiku do të mund ta gjejë raportin individual të lëndëve të kryera nga gjyqtarët e kësaj Gjykate, përfshirë edhe degët në Podujevë, Lipjan, Gllogoc dhe Graçanicë.

Kjo gjykatë tashmë e ka publikuar raportin për periudhën janar-qershor 2019, ndërsa publikimi i raportit të lëndëve të kryera nga gjyqtarët e Gjykatës Themelore në Prishtinë do të bëhet publik në baza mujore.

Gjykata Themelore në Prishtinë me degët e saj vitin 2019 e ka filluar me 98.243 lëndë, ndërsa gjatë periudhës raportuese gjashtëmujore ka pranuar 13.411 lëndë.

Në periudhën prej datës 01.01.2019 deri më datë 31.06.2019, Gjykata Themelore në Prishtinë ka kryer gjithsej 25.469 lëndë, që nënkupton se efikasiteti i kësaj gjykate në zgjidhjen e lëndëve është 189.91%, rrjedhimisht ka arritur që të përfundojë lëndë në numër më të madh se që ka pranuar dhe njëkohësisht ka arritur që për 12.058 lëndë të reduktohet numri i lëndëve te vjetra.

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka kushtuar vëmendje të veçantë Departamentit të Krimeve të Rënda ku nga 159 lëndë të pranuara ka arritur të kryejë 397 lëndë brenda periudhës gjashtëmujore të vitit 2019.

Efikasiteti i shprehur në përqindje është 191.19% që i bie se janë kryer 238 lëndë më tepër se sa numri i lëndëve të pranuara në këtë departament.