Gjykata e Posaçme është tërhequr për të marrë vendimin mbi vlerësimin e masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
I fundit që parashtroi argumentet e tij para gjyqtarit Erion Bani, ishte prokurori i SPAK, Ols Dado, i cili ka kërkuar vazhdimin e masave te caktuara në mungesë për Veliajn dhe të tjerët.
Ndërkaq, avokati i Veliajt, Ermir Beta i kërkuar gjykatës ndryshim mase për Veliajn në këmbim të garancisë pasurore dhe “detyrim paraqitje” për të shoqen Ajola Xoxe.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj u arrestua mesditën e të hënës me urdhër të Prokurorisë së Posaçme për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Ndaj tij Gjykata e Posaçme ka caktuar në mungesë masën e arrestit në burg. Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme gjykata caktoi masën e arrestit shtëpiak edhe për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxe, për të cilën rëndojnë të njëjtat vepra penale, ajo e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Veliaj u shoqërua nga punonjës të policisë së shtetit dhe agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, nga Bashkia e Tiranës në drejtim të policisë, ku do të qëndrojë i izoluar derisa të dalë përballë gjykatës ku do të njihet me masën e sigurisë qe iu caktua në mungesë.
Masa arrest në burg u lëshua edhe biznesmenin Elman Abule, ndërsa për 5 të tjerë është vendosur masa e detyrimit për t’u paraqitur në prokurori.
Bëhet fjalë për biznesmenët që dyshohet se kanë përfituar tendera në mënyrë korruptive nga Bashkia e Tiranës mes të cilëve, Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha. Masat janë caktuar për të njëjtën çështje për të cilët u vu në pranga kryebashkiaku Veliaj.