Gjykata Supreme reagon ndaj Qeverisë në detyrë: Reagimi për aktgjykimin është ndërhyrje e papranueshme në pavarësinë e gjyqësorit

Gjykata Supreme e Kosovës ka reaguar pas deklaratave të Qeverisë në detyrë lidhur me aktgjykimin P.A.nr.09/2025, përmes së cilit është shfuqizuar Udhëzimi Administrativ (MFPT) nr.01/2025 për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë.

Në një komunikatë për media, Gjykata ka shprehur keqardhje për, siç e cilëson, reagimin tendencioz të Qeverisë në detyrë, duke theksuar se një reagim i tillë përbën jo vetëm keqinterpretim të vendimmarrjes gjyqësore, por edhe ndërhyrje të papranueshme në pavarësinë e gjyqësorit.

“Të gjitha institucionet, përfshirë Qeverinë, janë të obliguara ta respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Gjykata thekson se vendimet e saj janë të bazuara në Kushtetutë dhe ligjet në fuqi, dhe si të tilla, ato duhet të respektohen nga të gjitha institucionet.

Sipas Gjykatës, në rastin konkret është garantuar që akti nënligjor të jetë në përputhje me normat juridike që rregullojnë mënyrën dhe kohën e miratimit të tij, dhe çdo përpjekje për ta vënë në pikëpyetje autoritetin dhe legjitimitetin e saj përmes deklaratave politike, përbën cenim të pavarësisë së gjyqësorit dhe dëmton besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Në fund, Gjykata Supreme bën thirrje që institucionet të tregojnë gatishmëri për zbatimin e vendimeve gjyqësore si kusht i funksionimit të shtetit ligjor, duke ritheksuar se ajo do të vazhdojë ta ushtrojë funksionin e saj në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar, në shërbim të zbatimit të ligjit dhe drejtësisë.