Gjykata në Prishtinë hedh poshtë aktakuzën ndaj ish-bashkëshortit të Edona Llalloshit

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, me aktvendim të datës 30 dhjetor 2025, ka hedhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka pushuar procedurën penale ndaj Gazmond Haxhifejzullahut, ish-bashkëshort i kandidates për deputete dhe këngëtares Edona Llalloshi, i cili akuzohej për veprën penale “Mosrespektim i gjykatës”, sipas nenit 393 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Vendimi është marrë nga gjyqtarja Edita Çanta, pas shqyrtimit të kërkesës së mbrojtjes për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, të paraqitur nga avokati Driton Muharremi.

Sipas aktvendimit të cilin e ka parë Gazeta Insajderi, gjykata ka vlerësuar se aktakuza nuk përmbush standardin minimal të dyshimit të bazuar mirë, të nevojshëm për vazhdimin e procedurës penale.

Nga provat e administruara, përfshirë deklaratat e palëve, raportet policore, raportet e Qendrës për Punë Sociale dhe vendimet e nxjerra në procedura civile, nuk është dëshmuar se i pandehuri ka shkelur ndonjë vendim gjyqësor në mënyrë që të përmbushen elementet objektive dhe subjektive të veprës penale.

Gjykata ka konstatuar se kontakti i Haxhifejzullahut me fëmijët e tij, ka ndodhur në hapësira publike, konkretisht në ambientet e shkollës, në prani të stafit shkollor dhe nxënësve të tjerë. Sipas gjykatës, ky kontakt nuk ka përbërë sjellje të ndaluar penalisht.

Në arsyetim thuhet se ndalimi i vendosur në procedurën civile nuk nënkuptonte ndalim të plotë të kontaktit me fëmijët, por ndalim të veprimeve si ngacmimi, kërcënimi, ndjekja apo manipulimi. Nga provat e administruara nuk është dëshmuar se ndonjë nga këto veprime ka ndodhur.

Po ashtu, gjykata ka vlerësuar se qëllimi i të pandehurit ka qenë ushtrimi i së drejtës prindërore, e garantuar me vendime gjyqësore civile, dhe jo mosrespektimi i një vendimi të gjykatës. Takimi me fëmijët është cilësuar si spontan dhe i motivuar nga rrethana emocionale, duke marrë parasysh faktin se i pandehuri nuk i kishte takuar ata për më shumë se katër muaj.

Në këto rrethana, gjykata ka konstatuar se mungon elementi themelor i veprës penale, përkatësisht ekzistenca e një urdhri të qartë, të detyrueshëm dhe të shkelur nga i pandehuri. Për këtë arsye, aktakuza është hedhur në bazë të nenit 244 paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të Kodit të Procedurës Penale.

Rasti ndaj Gazmond Haxhifejzullahut vjen në kuadër të një përplasjeje të vazhdueshme pas divorcit me ish-bashkëshorten e tij, këngëtaren dhe kandidaten për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Edona Llalloshi.

Në një intervistë ekskluzive për Insajderin, Haxhifejzullahu ka hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj Llalloshit, duke pretenduar se ajo po shkel vendimet e gjykatës dhe se, sipas tij, po i përdor fëmijët si mjet presioni dhe hakmarrjeje pas kërkesës së tij për ndarjen e pasurisë së përbashkët.

Ai ka deklaruar se marrëdhëniet mes tyre janë përkeqësuar ndjeshëm pas divorcit dhe se për më shumë se tetë muaj nuk ka pasur mundësi t’i takojë fëmijët e tij. Sipas tij, përkeqësimi i situatës ka ndodhur pas ndërhyrjes së familjarëve të ish-bashkëshortes dhe pas mosmarrëveshjeve lidhur me çështjet pasurore.

Gazeta Insajderi ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të marrë një qëndrim edhe nga Edona Llalloshi lidhur me këto pretendime, por ajo fillimisht kishte kërkuar që çështja të mos trajtohej publikisht deri pas përfundimit të procesit zgjedhor, kërkesë e cila është respektuar. Megjithatë, pas përfundimit të zgjedhjeve, Llalloshi nuk ka qenë e qasshme.