Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Roxhensa Kapuranin, vajzën e këngëtares së njohur Eli Fara, e cila u ndalua më 21 gusht nga forcat “Shqiponja” në Vorë, gjatë një kontrolli rutinë.
39-vjeçarja, e njohur edhe me emrin Marina Fara, u kap me 2.4 gramë kokainë në automjetin e saj. Para trupës gjykuese, mes lotësh, ajo deklaroi se substanca narkotike ishte për përdorim vetjak.
Megjithatë, pavarësisht pretendimeve të saj, gjykata vendosi që Kapurani të qëndrojë në arrest shtëpie, ndërkohë që hetimet do të vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit.

Emri i saj nuk përmendet për herë të parë në dosjet e policisë. Më herët, Marina Fara ishte përfshirë në përgjimet e operacionit “Mezhgorani”, gjatë të cilit u arrestuan mbi 30 persona. Në atë kohë, dyshimet ndaj saj lidhen me ndihmën e mundshme për arratisjen e dy të dyshuarve për trafik narkotikësh.
Aktualisht, hetuesit do të verifikojnë nëse rasti i fundit lidhet me episode të tjera të mëparshme, apo nëse kemi të bëjmë vetëm me përdorim personal, siç pretendoi ajo para gjykatës.