Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të papranueshme interpretimin e aktit të dorëheqjes së kryeministrit të Republikës së Kosovës, definimin e kompetencave dhe funksionimin e Qeverisë, pas dhënies së dorëheqjes së kryeministrit, Ramush Haradinaj.
“Kërkesa bazohej në paragrafin 10 të nenit 93 (Kompetencat e Qeverisë), në lidhje me nenin 113 (Jurisdiksioni dhe palët e autorizuara) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Gjykata konkludoi se çështjet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës nuk hyjnë në fushëveprimin e jurisdiksionit të Gjykatës Kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113 të Kushtetutës. Rrjedhimisht, në pajtim me nenin 113, paragrafi 1, të Kushtetutës, dhe me rregullin 59 (2) të Rregullores së punës, Gjykata njëzëri vendosi: Të deklarojë kërkesën të papranueshme”, është thënë në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.