Një vit pas vendimit të qeverisë për mbylljen e rrjetit social TikTok, Gjykata Kushtetuese ka arritur në përfundimin se masa ka cenuar lirinë e shprehjes dhe të shtypit. Vendimi erdhi pas shqyrtimit të padisë së paraqitur nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, i cili kundërshtoi mbylljen e platformës për të gjithë përdoruesit në vend.
Edhe pse qëllimi i qeverisë për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga ndikimet negative të platformës u konsiderua si interes publik legjitim, Gjykata arriti në përfundimin se mbyllja e TikTok u bë me VKM, çka bie ndesh me kriterin kushtetues që kufizimet e lirisë së shprehjes të vendosen vetëm me ligj.
“Për sa i përket kriterit të dytë, të kufizimit për interes publik ose arsye të rëndësishme publike, Gjykata e vlerësoi të përmbushur pasi ai konsiston në mbrojtjen e të drejtave dhe interesit më të mirë të fëmijës dhe të të rinjve dhe qëllimi i VKM-së nr. 151/2025 ka qenë marrja e masave për shmangien e ndikimeve negative të platformës on-line TikTok në nxitjen e dhunës veçanërisht te fëmijët, në shkaktimin e problemeve të zhvillimit psiko-social të tyre, si dhe në shkaktimin e problematikave sociale në tërësi”, thuhet në vendim.
Po ashtu, Gjykata vlerësoi se masa nuk përmbushi as kriterin e proporcionalitetit, pasi bllokimi i plotë i platformës për të gjithë përdoruesit ishte një ndërhyrje e gjerë dhe autoritetet nuk provuan se kishin shqyrtuar më parë mjete të tjera më pak kufizuese për të arritur të njëjtin qëllim.
Lëvizja e qeverisë për të mbyllur TikTok erdhi pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani me thikë nga një bashkëmoshatar i tyre, pas një sherri të nisur në rrjetet sociale. Vendimi u konsultua gjerësisht me prindër dhe mësues, por platforma u rihap me vendim të qeverisë prej muajit shkurt.










