Gjykata i liron 10 të dyshuarit për manipulim me vota në rajonin e Mitrovicës

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 10 kryesuesve komunalë zgjedhorë nga 34 sa u ndaluan një ditë më parë, pas dyshimeve për manipulim me vota.

Gjykata në Mitrovicë, ka vendosur që të njëjtit të mbrohen në liri.

“Gjykata Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton se sot ka mbajtur tri (3) seanca dëgjimore lidhur me kërkesat e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dhjetë (10) të pandehurve. Pas shqyrtimit të kërkesave dhe vlerësimit të provave të paraqitura, Gjykata ka refuzuar kërkesat e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve: R.J., L.H., N.D., A.N., B.F., H.S., Sh.N., Y.S., D.K. dhe S.S., duke vendosur që të njëjtit të mbrohen në liri. Të pandehurit dyshohen se, secili veç e veç, kanë kryer veprën penale ‘Falsifikimi i rezultateve të votimit’”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Gjykata ka vlerësuar se, në këtë fazë të procedurës penale, nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.