Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë, duke ia caktuar masën e paraburgimi në kohëzgjatje prej 30 ditësh të pandehurit Mahmut Hoxhaj, i cili dyshohet se plagosi dy persona më 17 tetor 2025 në afërsi të kësaj Gjykate, pas shpalljes së aktgjykimit, ku u shqiptuan 44 vite burgim për pesë të akuzuarit për vrasjen në Volljakë të Klinës, ku viktimë e asaj vrasjeje ka qenë vëllai i tani të pandehurit Hoxhaj, F.H.
Njëri nga të plagosurit është Basri Gashi, i cili është i akuzuar në rastin e vrasjes së vëllait të Hoxhajt, i cili më 17 tetor pas shpalljes së aktgjykimit u lirua nga masa e paraburgimit. I plagosuri tjetër është A.U., i cili kishte shkuar t’i marrë Gashin dhe tjerët që ishin liruar nga paraburgimi.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar vendimin me të cilin iu caktua paraburgimi të dyshuarit Hoxhaj. Sipas vendimit, të pandehurit Mahmut Hoxhaj gjatë masës së paraburgimit i lejohet qëndrimi në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, ku është tani i vendosur deri në shërimin e tij sipas rekomandimeve të mjekëve specialist përkatës nën mbikëqyrjen e zyrtarëve të sigurisë të Qendrës së Paraburgimit. Pas përfundimit të shërimit i pandehuri dërgohet në Qendrën e Paraburgimit.
Në seancën dëgjimore e cila u mbajt në Spitalin e Pejës, ishin prezentë prokurori i shtetit Ersan Qavolli, i pandehuri Mahmut Hoxhaj dhe mbrojtësi i tij avokati Fanol Krasniqi- sipas autorizimit
Sipas vendimit, prokurori Qavolli ka deklaruar se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Hoxhaj ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Aty thuhet se prokurori ka deklaruar se janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së paraburgimit. Ka thënë se sipas procesverbalit të marrjes në pyetje të të dëmtuarit Agron Gashi në stacion policor, ky i fundit ka deklaruar se ka qenë në burg për shkak të problemeve me tani të pandehurin dhe dyshimin për vrasjen e vëllait të tij.
“Në burg ka qenë për shkak të problemeve me Mahmut Hoxhaj dhe dyshimit të vrasjen e vëllait të tij. Po ashtu i njëjti deklaron se ditën kritike janë liruar nga gjykata dhe A.U., ka shkuar për t’i marrë dhe sapo janë nisur janë sulmuar me armë ku është plagosur A., dhe Basriu. Aty e ka pa të pandehurit Mahmut Hoxhaj dhe afër tij ishin dy armë të gjata AK-47”, citohet të ketë deklaruar Agron Gashi.
Ndërkaq, i dëmtuari Bahri Gashi, thuhet se në stacion policor deklaroi se i pandehuri shtiu në drejtim të tyre dhe plagosi Basri Gashin dhe A.U. Edhe Bahriu ka thënë se ishte në burg nën dyshimin për vrasjen e vëllait të Hoxhajt.
“Mahmut Hoxhaj ka gjujtë në drejtim timin dhe ka plagosur Basri Gashin dhe A.U. I njëjti shton se ka qenë në burg si i dyshuar për vrasjen e vëllait të të pandehurit Mahmut Hoxha, ndërsa me datën 17.10.2025 është liruar së bashku me Basri Gashin dhe Agron Gashi. Po të mos kishte policia me intervenu, Mahmuti na kish vra të gjithëve”, citohet të ketë deklaruar Basri Gashi.
Po ashtu, Qavolli ka përmendur se të pandehurit i janë sekuestruar dy armë të gjata, dy armë të shkurta dhe disa fishekë. Ka thënë se nga databaza e Policisë rezulton se Mahmut Hoxhaj është i përfshirë në 43 raste penale, prej të cilave si i dyshuar në 25 raste të ndryshme.
Gjithnjë sipas vendimit, prokurori ka theksuar se i pandehuri është kapur në flagrancë nga Policia e Kosovës gjatë kryerjes së veprës penale dhe veturën e tij e kishte lënë të ndezur me qëllim të arratiset, por fatmirësisht është arrestuar falë punës së mirë së zyrtarëve policorë. Andaj, sipas prokurorit, me lënien e tij në liri, mund të arratiset dhe të pengojë rrjedhën normale të procedurës penale.
Prokurori ka arsyetuar se ekziston rreziku real që i pandehuri të ndikojë në të dëmtuarit dhe dëshmitarë, sidomos në familjarët e tij të cilët kanë qenë ditën kritike në Gjykatën Themelore në Pejë, e krejt kjo me qëllim të përgatitjes së mbrojtjes në favor të tij.
“… i pandehuri i kishte pritur viktimat derisa kanë dal nga qendra e paraburgimit, kishte gjuajt në ta me dy armë të gjata, edhe pasi vetura është përplasur në rrethoja, ai prapë kishte vazhduar për të gjuajt, po ashtu kishte marrë armën nga toka për të vazhduar gjuajtjet por ishte has në Policinë e Kosovës, kjo tregon për qëllimin dhe vendosmërinë e tij në kryerjen e veprës penale”, citohet të ketë deklaruar prokurori.
Sipas prokurorit, ekziston rreziku që me lënien e të pandehurit në liri, mund ta përfundojë veprën që ka mbetur në tentativë. Ka thënë se masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për sigurimin e të pandehurit në procedurë penale.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të pandehurit Hoxhaj, avokati Fanol Krasniqi ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit. Ai tha se i pandehuri Hoxhaj “u vra” kur iu vra vëllai më 2022, gjatë gjykimit që u zhvillua në rastin e vëllait dhe kur më 17 tetor, Gjykata vendosi t’i lirojë nga paraburgimi 4 të akuzuarit.
“…i pandehuri Mahmut u vra ne vitin 2022, u vra gjate gjykimit ne Pejë qe është zhvilluar procedura penela në cilësinë e të dëmtuarit, po ashtu u vrah edhe me dt. 17.10.2025 kur gjykata mori aktgjykim për lirimin nga masat e paraburgimit për ata qe kryen vrasjen ne drejtim te vëllaut te tij, Mahmuti u vra jo fizikisht por u vrah ne zemër dhe ne sulmet qe vazhdimësi ka pranuar nga familja Gashi, e te pa penduar te njëjtit duke shkuar deri ne atë pike, kur te njëjtit thoshin se Mahmuti e ka vrah vellaun e tij, shkencërisht psikologjia thotë se truri i njeriut është i ndërtuar për te përballuar probleme mirëpo nuk është i ndërtuar qe problemet te jene te vazhdueshme çdo ditë”, citohet se deklaroi Krasniqi.
Sipas tij, i pandehuri në ditën kritike është gjetur në një situatë të rënduar psikologjike, me padrejtësitë që janë bërë gjatë vitit 2022 e deri në shpalljen e aktgjykimit.
Avokati tha se Gjykata dhe Prokuroria në Pejë duhet të përjashtohen nga ky rast, për shkak se vepra është kryer afër objektit të Gjykatës. Ai tha se rezervon të drejtën të parashtrojë kërkesën me shkrim për përjashtim të Gjykatës dhe Prokurorisë në Pejë nga kjo lëndë.
I pandehuri Mahmut Hoxhaj deklaroi se pajtohet me deklarimin e avokatit të tij dhe kundërshtoi kërkesën për caktimin e paraburgimit.“Pajtohem ne tersi me deklarimin e mbrojtësit tim, e kundërshtoj kërkesën për caktimin e masës se paraburgimit ndaj meje, dhe diçka tjetër nuk kame çka te shtoj”, citohet të ketë deklaruar i pandehuri Hoxhaj.
Arsyetimi i Gjykatës:
Gjyqtari i procedurës paraprake gjeti se kërkesa e prokurorit të shtetit është e bazuar. Sipas Gjykatës, me lënien e të pandehurit në liri ekziston rreziku që të arratiset, duke pasur parasysh peshën e veprës penale për të cilën dyshohet.
“Po ashtu duke pasur parasysh faktin se i njëjti kishte planifikuar arratisjen e tij pas kryerjes së veprës penale duke e lënë veturën e ndezur me qëllim të arratiset, mirëpo si rezultat i reagimit me kohë të zyrtarëve policor i njëjti është arrestuar në flagrancë gjatë kryerjes së veprës penale”, thuhet në vendim.
Po ashtu, Gjykata ka vlerësuar se me lënien e të pandehurit në liri, mund të ndiikojë në të dëmtuarit dhe dëshmitar, të cilët do të merren në pyetje gjatë fazës hetimore në Prokurori.
Gjykata po ashtu ka vlerësuar se ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale në rast se Hoxhaj lihet në liri, duke marrë parasysh faktin se i njëjti i ka pritur viktimat derisa kanë dalë nga qendra e paraburgimit dhe ka qëlluar në drejtim të tyre me dy armë të gjata dhe ka vazhduar të shtënat edhe pasi vetura është përplasur në rrethoja.
Po ashtu, është marrë për bazë fakti që Mahmut Hoxhaj, nga databaza e Policisë së Kosovës rezulton të jetë i përfshirë në 43 raste penale, prej të cilave si i dyshuar në 25 raste të ndryshme.
Gjykata Themelore në Pejë ka vlerësuar se masat alternative nuk ofrojnë siguri të mjaftueshme për zhvillimin normal dhe të suksesshëm të procedurës penale dhe nuk ka siguri të mjaftueshme për t’ju shmangur rrezikut të arratisjes, ndikimit në të dëmtuar, dëshmitarë dhe të përsëritjes së veprës penale. Andaj, vlerësoi se në këtë rast masa e paraburgimit është masë e nevojshme për zhvillimin normal dhe të papenguar të procedurës penale.Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” ka publikuar momentin kur Hoxhaj kishte shtënë në drejtim të dy tani të plagosurve, ku shihet se me vete kishte pasur dy kallashnikovë.Hetimet paraprake tregojnë se i dyshuari kishte qenë palë në një proces gjyqësor që kishte përfunduar pak minuta më herët me lirimin e palës tjetër. Menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit, Hoxhaj dyshohet se ka dalë në parkingun prapa gjykatës, ku ka pritur viktimat dhe ka shtënë në drejtim të tyre me dy armë automatike të tipit AK-47.
I dyshuari Hoxhaj i cili është vëllai i të vrarit në Volljakë të Klinës, F.H., po dyshohet se për hakmarrje ka plagosur dy persona pasi Gjykata Themelore në Pejë shqiptoi 44 vite burgim për pesë të akuzuarit për vrasjen që kishte ndodhur më 2022.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar incizimin e seancës së shpalljes së aktgjykimit, ku Nderim Gashi është dënuar me 28 vite burgim, ndërsa Basri, Agron, Ardit dhe Bahri Gashi janë dënuar me nga 4 vite secili për vrasjen e F.H. Në total, në rigjykim janë shqiptuar 44 vite burgim, përderisa në gjykimin e parë ishin shqiptuar 84 vite burgim.
Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Nderim Gashi i është vazhduar masa e paraburgimit, por jo më gjatë sesa dënimi i shqiptuar. Ndërsa, katër të tjerëve iu është ndërpre masa.
Nga të shtënat me armë zjarri, dy persona mbetën të plagosur rëndë dhe u dërguan fillimisht në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, ku morën trajtim urgjent. Njëri prej tyre është transferuar për trajtim të mëtejshëm në QKUK në Prishtinë për shkak të plagëve serioze në pjesën e kraharorit.
Në vendin e ngjarjes, njësitë e hetimeve rajonale kanë sekuestruar dy armë të gjata AK-47, dy revole, 149 fishekë dhe 16 gëzhoja, ndërsa janë mbledhur edhe prova të tjera materiale që pritet të dërgohen për ekspertizë balistike./Periskopi/