Një gjykatë apeli në Nju Jork ka rrëzuar dënimin financiar prej mbi 500 milionë dollarësh që presidenti Donald Trump duhej të paguante në një çështje gjyqësore për mashtrimi civil.
Gjykatësi Arthur Engoron kishte dënuar Trumpin dhe dy djemtë e tij për rritje të vlerës së pronave të Organizatës Trump me qëllim përfitimi nga kredi të favorshme. Gjoba fillestare prej 355 milionë dollarësh, me interesat e shtuara, arriti në më shumë se 500 milionë dollarë.
Apeli deklaroi se ndërsa Trump ishte përgjegjës për mashtrimin, por gjoba prej gjysmë miliardi dollarësh ishte “e tepërt” dhe shkelte mbrojtjet kushtetuese të SHBA-së kundër dënimeve të ashpra.
“Ndërsa masa e ndalimit e urdhëruar nga gjykata është hartuar mirë për të frenuar kulturën e biznesit të të pandehurve, urdhri i gjykatës për heqjen dorë nga e drejta e pronësisë, i cili urdhëron që të pandehurit të paguajnë gati gjysmë miliardi dollarë Shtetit të Nju Jorkut, është një gjobë e tepërt që shkel Amendamentin e Tetë të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Vendimi i apelit nuk ndryshoi vendimet e tjera të gjyqtarit Engoron, si ndalimi i Trumpit për të shërbyer si drejtor kompanie apo për të marrë kredi nga bankat në Nju Jork për tre vjet.
Djali i Trump, Eric Trump, i cili ishte i përfshirë në këtë rast, e festoi vendimin në një postim në rrjetet sociale.
“Fitore totale në rastin e rremë të Prokurorit të Përgjithshëm të Nju Jorkut!!! Pas 5 vitesh ferr, drejtësia triumfoi!” shkroi ai.
Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James, e cila kishte ngritur padinë fillestare, ka akuzuar Trumpin dhe djemtë e tij për “mashtrim të vazhdueshëm dhe të përsëritur”./rtk
The post Gjykata e Apelit rrëzon gjobën prej 500 milionë dollarësh të Trump appeared first on Kosovapost.net.