Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim me të cilin e ka aprovuar si të bazuar padinë e paditësve Lulzim Rifaj, Mitat Fejza, Bahrije Hoti, Rrahim Morina, Binak Berisha, Shota Bukoshi, Adnan Dragaj, Enver Buçaj dhe Blerim Canaj, ndërsa ka anuluar vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), duke ia kthyer çështjen të njëjtit në rivendosje.
Në këtë rast, nëntë paditësit kishin ushtruar ankesë në KPMSHCK kundër vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme për të shfuqizuar vendimet për emërimin e tyre në shërbim diplomatik, por Këshilli kishte shpallur veten jokompetent.
Ata kanë kërkuar të anulohet vendimi i KPMSHCK-së dhe vendimet e MPJ-së, dhe të kthehen në vendet e tyre të punës në shërbim diplomatik, si dhe t’iu kompensohen pagat, shtesat dhe beneficionet prej momentit të largimit nga puna, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Me vendimin e përpiluar më 10 mars 2025, Gjykata konstatoi se bazuar në provat e administruara, padinë dhe përgjigjen në padi, si dhe deklarimet e palëve ndërgjyqëse, kërkesëpadia e paditësve është e bazuar.
Sipas Themelores, me vendimin kontestues të të paditurit KMPSHCK të datës 10 qershor 2022, i padituri u shpall jokompetent për të vendosur lidhur me ankesën e parashtruar nga paditësit. Këta të fundit, të pakënaqur me vendimin, kishin parashtruar padi në gjykatë më 5 korrik 2022 duke kontestuar ligjshmërinë e tij.
Andaj, shkalla e parë referuar dispozitave të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative gjeti se në këtë rast, akti i kontestuar me padi përmban të meta të tilla për shkak të të cilave nuk mund të shqyrtohet ligjshmëria e tij. Pra, të metat qëndrojnë në shkeljet thelbësore të dispozitave të këtij ligji.
Gjykata gjeti se vendimi i kontestuar është juridikisht i paqartë dhe kundërthënës me vetveten dhe me arsyetimin e tij.
Madje, thuhet se edhe dispozitivi është në kundërshtim me arsyetimin ngase në dispozitivin e vendimit i padituri KPMSHCK shpallet jokompetent për të trajtuar ankesën e paditësve, kurse në arsyetimin e tij thekson se “në kuptim të provueshmërisë së ankesës kolegji iu referua dispozitave të Ligjit nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, ligj ky i aplikueshëm….”. Po ashtu, thuhet se iu referua edhe Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik.
Aty thuhet se Kolegji me shumicë votash rrjedhimisht konstaton se përveç të emëruarve politikë, nëpunësit e shërbimit të jashtëm përfshirë edhe personelin diplomatik, konsullor dhe personelin administrativ të punësuar në MPJ apo të angazhuar në shërbim të jashtëm kanë statusin e nëpunësit civil dhe se pranimi i tyre në shërbim të jashtëm duhet të bëhet në pajtim me dispozitat e legjislacionit për shërbimin e jashtëm dhe legjislacionin e aplikueshëm për shërbimin civil.
Por, thuhet se bazuar në faktin se paditësit ishin emëruar në shërbimin e jashtëm mbi bazën e vendimeve të MPJ-së dhe meqenëse nuk ka prova se kanë themeluar marrëdhënie pune në shërbim civil përmes akt-emërimit, Këshilli nuk është kompetent për të vendosur lidhur me ankesat e ankuesve.
Andaj, Gjykata thekson se e paditura e pranon se pozita e paditësve përbën pozitë të nëpunësit civil, por pasi janë emëruar mbi bazën e vendimeve të MPJ-së, e meqenëse nuk kanë themeluar marrëdhënie pune në shërbim civil përmes akt-emërimeve, konstaton se KPMSHCK nuk është kompetente për të vendosur lidhur me ankesën e paditësve.
Megjithatë, Themelorja vlerëson se shpallja e KPMSHCK-së jokompetente për të vendosur për ankesën e paditësve duke iu referuar vetëm çështjes së mungesës së aktit të emërimit të ankuesve nuk është vlerësim i drejtë dhe i bazuar.
Aty thuhet se Ligji për Shërbimin Civil, neni 3, par.4 përcakton se “Personeli diplomatik dhe konstullor, si dhe personeli administrativ i dërguar jashtë vendit ose i punësuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, është pjesë e Shërbimit Civil të Kosovës dhe i nënshtrohet këtij ligji dhe legjislacionit në fuqi”.
Sipas Gjykatës, është e pakontestueshme që personeli diplomatik dhe konsullor, si dhe personeli administrativ i dërguar jashtë vendit ose i punësuar në MPJ është pjesë e Shërbimit Civil të Kosovës, sikurse është e pakontestueshme se të punësuarit në shërbimin e jashtëm i nënshtrohen legjislacionit të aplikueshëm për shërbimin civil dhe legjislacionit të veçantë që rregullon shërbimin e jashtëm në Kosovë.
“Gjykata konstaton se, çështja e statusit të të punësuarve në shërbimin e jashtëm ka qenë e përcaktuar me nenin 3 paragrafi 4 të Ligjit Nr.03/L-49 për Shërbimin Civil të Kosovës dhe rrjedhimisht ashtu sikurse me ligjin e aplikueshëm në kohën e themelimit të marrëdhënies së punës të ankuesve, edhe me ligjin aktual, përcaktohet se nëpunësit e shërbimit të jashtëm diplomatik dhe konsullor, përjashtimisht të emëruarve politik, kanë statusin e nëpunësit civil dhe të njëjtit i nënshtrohen përveç këtij ligji edhe legjislacionit të veçantë”, thuhet në vendim.
Themelorja vlerëson se çështja e kompetencës nuk duhet të lidhet vetëm me aktin formal të themelimit të marrëdhënies së punës, por me pozitën në të cilën paditësit janë emëruar dhe kanë ushtruar detyrën dhe në këtë kuptim, gjykata vlerëson se i padituri është jokompetent për vendosjen e ankesës së paditësve.
Po ashtu, Gjykata gjen se paditësit në ankesën drejtuar të paditurit KPMSHCK pretendojnë se i janë nënshtruar të gjitha procedurave të konkursit dhe vlerësojnë se vendimet e kundërshtuara me ankesë- vendimet e lëshuara nga Ministria e Punëve të Jashtme me të cilat janë shfuqizuar vendimet e emërimit të paditësve në shërbimin e jashtëm diplomatik dhe konsullor të Republikës së Kosovës, janë nxjerrë përmes shkeljeve ligjore procedurale, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljeve të ligjit material.
Sipas Gjykatës të gjithë paditësit në shërbimin e jashtëm i janë nënshtruar konkursit publik të shpallur nga MPJ si autoritet përgjegjës, por kontestuese është se nuk ka listë përfundimtare të rezultateve të kandidatëve.
Kurse, lidhur me kërkesën e paditësve për detyrimin lidhur me kompensimin e pagave dhe beneficioneve nga marrëdhënia e punës, Gjykata thekson se MPJD nuk është palë e paditur me padi dhe se nuk është palë në këtë procedurë të konfliktit administrativ.
Andaj, në vendim thuhet se për gjykatën është e paqartë dhe nuk përbën arsyetim dhe konstatim të mjaftueshëm për shpalljen e të paditurit KPMSHCK jokompetente me vendimin kontestues, i cili ka vendosur për ankesën e paditësve vetëm duke iu referuar çështjes së mungesës së akt-emërimit. Gjykata vlerëson se kjo nuk është vlerësim i drejtë dhe i bazuar në ligjet e lartcekura.
Gjithnjë sipas vendimit, Themelorja vlerëson se çështja e kompetencës së Këshillit në rrethanat e rastit konkret nuk duhet lidhur vetëm me aktin formal të themelimit të marrëdhënies së punës, por në pozitën në të cilën paditësit janë emëruar dhe kanë ushtruar detyrën.
“Andaj, Gjykata nuk mund të pranoj si të drejtë vendimin e të paditurit dhe të njëjtin e ka anuluar si në dispozitiv të këtij aktgjykimi, duke e detyruar të paditurin të vlerësoj gjendjen faktike mbi bazën e provave dhe të referoj pretendimet e këtu paditësve, pasi që nga vendimi i atakuar me padi nuk mund të kuptohet se si është vërtetuar gjendja faktike”, thuhet më tej në vendim.
Këto të meta të evidentuara, Gjykata thotë se pengojnë vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit të kundërshtuar. Andaj, KPMSHCK-ja obligohet që në riprocedurë të veprojë sipas vërejtjeve të dhëna në këtë aktgjykim.
Gjykata ka vlerësuar se pretendimet e të paditurit në përgjigje në padi dhe deklarimet në seancë, janë të pabazuara dhe në kundërshtim me gjendjen faktike.
Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 5 korrik 2022, Lulzim Rifaj, Mitat Fejza, Bahrije Hoti, Rrahim Morina, Binak Berisha, Shota Bukoshi, Adnan Dragaj, Enver Buçaj dhe Blerim Canaj, kanë paditur Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil (KPMSHCK) lidhur me vendimin e 10 qershorit 2022 dhe kanë kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të atij vendimi.
Paditësit kanë kërkuar që padia e tyre të aprovohet si e bazuar, të anulohet vendimi i KPMSHCK-së (i datës 10 qershor 2022 me të cilin është shpallur jokompetent për shqyrtimin e ankesave të anëtarëve të personelit diplomatik dhe konsullor) dhe ai i MPJD-së i 15 marsit 2022 (për shfuqizimin e vendimeve të emërimit të tyre për shërbime diplomatike dhe pozitat në Ministri). Kurse, kërkuar që të mbeten në fuqi vendimet për emërimin e të njëjtëve në pozitat sipas akt-emërimeve për të shërbyer si diplomatë.
Gjithashtu, përmes padisë kanë kërkuar që t’iu bëhet kompensimi i pagave, shtesave dhe benficioneve që rrjedhin nga marrëdhënia e punës bazuar mbi aktemërimet.
Në padi thuhet se më 22 korrik 2011, Ministria e Punëve të Jashtme kishte publikuar konkursin për anëtarë të personelit diplomatik dhe drejtues apo nëpunës tjerë të misionit konsullor.
Aty thuhet se Lulzim Rifaj ishte emëruar anëtar i shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës, duke iu caktuar grada konsullore- konsull. Më pas, MPJ-ja kishte marrë vendim ta tërheq nga ai mision dhe i caktoi pozitë tjetër për nevojat e Ministrisë. Po ashtu, MPJD-ja më 15 mars 2022 kishte shfuqizuar vendimin për emërimin e tij si anëtar i shërbimit të jashtëm dhe të gjitha emërimet që rrjedhin nga ky emërim, si dhe shfuqizoi vendimin për sistemimin e përhershëm të Rifajt në pozitën zyrtar i lartë për shërbime konsullore dhe akt-emërimin e lëshuar për të njëjtën pozitë.
Kurse, Mitat Fejzës thuhet se fillimisht i ishte caktuar grada konsull në Ambasadën e Kosovës në Francë, por më pas MPJ-ja kishte marrë vendim ta tërheq nga ai mision, kurse e sistemoi në pozitën zyrtar i lartë për shërbime konsullore dhe iu lëshua aktemërimi. Këto vendime, më pas u shfuqizuan nga MPJD-ja më 15 mars 2022.
Më tej, thuhet se Bahrije Hoti po ashtu kishte marrë gradën konsull në Konsullatën e Kosovës në Bern, por më pas Ministria e tërhoqi nga ajo pozitë dhe e sistemoi si zyrtare e lartë për privilegje dhe imunitete. Këto vendime, po ashtu më pas u shfuqizuan nga MPJD-ja më 15 mars 2022.
Në padi thuhet se Rrahim Morinës i ishte caktuar grada diplomatike ministër- këshilltar, e më pas u emërua konsull në Stamboll. Ministria më pas mori vendim që pas përfundimit të mandatit të sistemohet në pozitën e Zyrtarit për Çështje Sigurie ne Divizionin për IT dhe Shërbime Logjistike, në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. MPJD-ja më pas shfuqizoi këto vendime më 15 mars 2022.
Në anën tjetër, Binak Berishës i ishte caktuar grada diplomatike këshilltar, MPJD vendosi që pas përfundimit të mandatit të sistemohet në pozitën e Zyrtarit të Lartë të Pasurisë ne Departamentin për Financa dhe Shërbime të Përgjithshme, por MPJD-ja shfuqizoi këto vendime më 15 mars 2022.
E Shota Bukoshit i ishte caktuar grada- sekretare e parë në Ambasadën në Gjermani, e më pas MPJD pas përfundimit të mandatit e sistemoi në pozitën e Zyrtares së Lartë për Parlamentin Europian dhe Europë Lindore ne Departamentin për Evropë dhe BE ne Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Kjo e fundit, shfuqizoi më pas këto vendime më 15 mars 2022.
Kurse, Adnan Dragaj thuhet se ishte emëruar në gradën diplomatike ministër-këshilltar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e më pas u tërhoq nga misioni dhe u sistemua në pozitën e Zyrtarit të Lartë për OSBE ne Departamentin për NATO dhe Politika të Sigurisë. Edhe këto vendime, më pas u shfuqizuan më 15 mars 2022.
Enver Buçaj ishte caktuar si këshilltar në Ambasadën e Kosovës në Suedi. Më pas, MPJD-ja e sistemoi në pozitën e Zyrtarit të Lartë për Politika të Sigurisë ne Departamentin për NATO dhe Politika të Sigurisë. Por, kjo Ministri më 15 mars 2022, shfuqizoi ato vendime.
Dhe Blerim Canaj, thuhet se ishte emëruar në gradën diplomatike- këshilltar në Ambasadën e Kosovës në Austri. Më pas, MPJD-ja pas tërheqjes e caktoi në pozitën Zyrtar i Lartë për Këshillin Europian/Europën Jugore – Departamenti për Europë dhe BE. Të dyja vendimet, u shfuqizuan më 15 mars 2022 nga kjo Ministri.
Kurse, në përgjigje në padi thuhet se KPMSHCK-ja i ka propozuar gjykatës që ta refuzojë padinë e paditësve si të pabazuar dhe të vërtetojë vendimin e saj, me arsyetimin se vendimi është i drejtë.