Gjuha denigruese mund të nxisë përplasje në elektorat

Ndonëse fushata zgjedhore akoma nuk ka filluar liderët politikë janë lëshuar në deklarata fyese, në thumbime e në akuza kundrejt njëri-tjetrit. Sipas shoqërisë civile, një fjalor i tillë mund të nxisë përplasje në elektorat.

Ndërkaq profesori universitar Rrahman Paçarizi konsideron se gjuha e garuesve politikë akoma është brenda kufijve. Ndonëse, siç thotë ai, akoma është herët dhe gjuha e tyre mund të eskalojë. “Deri më tash gjuha e përdorur nga garuesit politikë ka qenë në kufijtë e normales, me ndonjë shkarje që tejkalon kufijtë e korrektësisë. Megjithatë, ende është herët dhe mund të ndodhë të eskalojë gjuha e debateve dhe e përplasjeve”, ka deklaruar ai për gazetën “Zëri”.

Sipas tij, një fjalor i tillë mund të ndikojë te përkrahësit e partive. Më tutje Paçarizi ka thënë se organizatat joqeveritare duhet të ndërmarrin nisma për gjuhë të përmbajtur. “E keqja e këtyre përplasjeve është bartja e frymës së acarimeve dhe konfliktit te militantët ose edhe te mbështetësit e tyre. Unë mendoj se OJQ-të duhet të ndërmarrin nisma, përmes të cilave do t’i nxitnin partitë politike për gjuhë të përmbajtur”, ka përfunduar Paçarizi.

Ndërkohë Shpend Emini, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Demokraci për Zhvillim” (D4D), teksa ka folur për gazetën “Zëri” ka thënë se përdorimi i gjuhës denigruese tanimë është bërë praktikë mes partive politike. “Përpos gjuhës ofenduese, disa individë të partive politike kanë filluar edhe sulme verbale, që shpesh janë të natyrës personale”, ka potencuar ai.