Retorika denigruese e zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, subjektit politik që udhëhoqi qeverinë për katër vjet, po i ekspozon përditë, pa pasur nevojë për interpretime të ndërlikuara, arsyet thelbësore të degradimit dramatik të Kosovës në indeksin ndërkombëtar të lirisë së shtypit, një realitet që nga kjo parti dhe individë të caktuar pro Kurtit po perceptohet si – gjoja – pashpjegueshme.
Shembulli më i fundit i klimës tokstike për gazetarët ishte postimi në Facebook i askujt tjetër përveçse Dejona Mihali të VV-së – zonja që i tregonte Nagip Krasniqit kur të ndalej rryma e kur jo dhe protagonistja e një sërë raportimesh mediatike si e përfshirë në raste të dyshuara të abuzimit me pozita zyrtare nga persona të emëruar nga partia, pa asnjë pozitë shtetërore.
Mihali zgjodhi të godasë personalisht gazetarin Kelmendi, duke i përmdur familjen dhe duke spekuluar për ambicie të supozuara politike, teksa vulosi në plotni objektivitetin e organizatës Reporterët pa Kufij në vlerësimin për të rankuar Kosovën në vendin e 99-të nga 180 vende të përfshira në raport.
“Po vihet re një fenomen i ri në publik këto ditë. Sa herë i referohet dikush LDK me ndonjë kërkesë politike, i pari përgjigjet Adriatik Kelmendi i Devollëve. (Kuptohet pasi që paralelish ka folur PDK për ta, por ky nuk është lajm i ri.) A thua pse vallë? Miqtë e Adriatikut nuk po lënë vend pa thënë se Devollt duan ta kandidojnë për Kryetar Komune z. Kelmendi. Secili mund të mendojë që për Pejën e kanë fjalën. Jo. Aty mbase ja njohin më shumë se sa duhet babain Adriatikut. Devollt duan ta kandidojnë për Prishtinën. Po ende nuk e kanë gjetur saktë partinë. Ose a duan përfundimisht Adriatikun apo Uran Ismajlin.” – shkroi ajo në Facebook.
Gjuha denigruese e përdorur nga Dejona Mihali nxjerr shmebullin konkret të përpjekjeve të vazhdueshme dhe të organizuara nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje për të ushtruar presion të drejtpërdrejtë mbi gazetarët dhe median e lirë.
Për ironinë e situatës, Mihali u lëshua në sulme pikërisht kur lideri i VV-së, Albin Kurti, i drejtoi një letër të re kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke i propozuar bashkëpunim pas një periudhe të gjatë përbaltjeje politike ndaj kësaj partie.
Në letrën e tij, Kurti pretendon se “nuk kam pasur problem me juve”, një qëndrim që bie në kundërshtim flagrant me deklaratat e tij të mëparshme gjatë fushatës zgjedhore, kur kishte përjashtuar kategorikisht çdo mundësi bashkëpunimi me LDK-në. “Na e kena provu koalicionin me ta. 51 dite na ka zgjatë. O për zotin qetash as 5 orë nuk mundet me zgjatë. Kështu që na s’bëjmë koalicion me ta” – deklaronte ai, shkruan Nacionale.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënoi ashpër sulimin e Mihalit si pjesë e një retorike alarmante dhe të vazhdueshme nga zyrtarët e VV-së kundër gazetarëve:
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, është i shqetësuar me vazhdimin e retorikës së papranueshme nxitëse kundër gazetarëve nga ana e Vetëvendosjes.
AGK-ja dënon fuqishëm sulmin personal dhe familjar, që zyrtarja e kësaj partie politike, Dejona Mihali ka bërë kundër gazetarit, dhe autorit të emisionit ‘Rubikon’, Adriatik Kelmendi.
Mihali, sikurse zyrtarë të tjerë të VV-së në këtë mënyrë kanë vazhduar me sulme të rënda ndaj gazetarëve dhe medieve, menjëherë pas publikimit të raportit të Reporterëve Pa Kufij, që e rangon Kosovën në vendin e 99-të për lirinë e medias.”