Gjimshiti si model…; po je i Atalantës do të thotë të ngrihesh pas rrëzimeve

“Pse biem, zoti Berat? Që të mësojmë të ngrihemi sërish”. Trajneri Raffaele Palladino ka luajtur rolin e Alfredit te “Kalorësi i Errët” për të nxjerrë më të mirën nga “Wayne” i tij, alias Berat Gjimshiti. Në dy ndeshjet e fundit ai ka mishëruar çfarë do të thotë të jesh i Atalantës; aftësinë për të reaguar kur pengohesh, edhe kur gabon një lider. Karriera e numrit 19 tek Atalanta është ndërtuar mbi mosdorëzimin.

Nga vera e vitit 2018, pas dëmtimit të Varnier, te mundësia me Gasperinin, e deri te triumfi në “Europa League”, duke theksuar si kapiten se fitohet e humbet së bashku. Solid, i vëmendshëm, me zemër të madhe dhe shembull për të rinjtë, i palodhur si Kolasinac, De Roon e Mario Pašalić. Edhe kur bie, si ndaj Interit, ku një gabim i tij solli humbjen, Gjimshiti ringrihet me përulësi, duke kërkuar falje.

Kundër Romës, e cila drejtohet nga trajneri që i ndryshoi karrierën, shqiptari ishte vendimtar: shpëtim goli në vijën fatale të portës ndaj goditjes së sigurt të Ferguson, ndërhyrje dhe rikuperime të vazhdueshme, ndaj u zgjodh “më i miri në fushë”. Simbol i “të qenit i Atalantës”: nuk ka fitore pa humbje, as ringjitje pa rënie. Berat Gjimshiti mishëron më së miri aftësinë për t’u ngritur sërish.

 

The post Gjimshiti si model…; po je i Atalantës do të thotë të ngrihesh pas rrëzimeve appeared first on Telesport.