Gjimshiti flet si lider: Ishim pranë realizimit të ëndrrës, por na iku nga duart

Eliminimi ndaj Polonisë ka lënë zhgënjim të madh në kampin kuqezi, këtë e konfirmon edhe kapiteni Berat Gjimshiti, i cili foli me sinqeritet pas ndeshjes në Varshavë. Ai nënvizoi dhimbjen e ekipit për momentet që mund të kishin ndryshuar gjithçka: “Besoj që është e thjeshtë të flasësh pas ndeshjes, por nuk mund të pësosh një gol ashtu sit e barazimi 1-1. Kishim raste të shkonim 2-0, do të ishte ndeshje e mbyllur pastaj. Pastaj patëm rast edhe për 2-1, por fati nuk na deshi sot.

Nuk ka rëndësi kush humb raste, jemi të gjithë bashkë, kush gabon dhe jo. Jemi të gjithë të mërzitur, sepse suksesi ishte në duart tona. E nisëm mirë ndeshjen, sidomos pjesën e parë, kishim mundësitë të fitonim e shkonim në finale ndaj Suedisë. Më shumë të mërzitur jemi ne, pak më të vjetrit, sepse ndoshta ishte rasti i fundit për ne që të merrnim pjesë në Botëror. Shpresoj që çunat më të rinj ta plotësojnë këtë dëshirë të tifozëve kuqezinj.

Sigurisht ishin punuar goditjet standarte, e dinim që polakët kishin shtatlartë. Problemi te ne ishte shtatlartësia, sot nuk kishim aq shumë lojtarë shtatlartë, na mungonin në fazën mbrojtëse. Kemi punuar për goditjet standarte, por nuk mund ta neutralizosh 100% çdo rast. Në të ardhmen duhet punuar më shumë, sepse nga gabimet mëson dhe përmirëson diçka për ndeshjet e radhës.

Pse ata në formë nuk luajnë? Nuk mund të jap përgjigje për këtë, kush luan e kush jo, sepse jemi ekip. Të gjithë jemi bashkë. A mendoj se kjo humbje do t’i bie pas shpine trajnerit? Këto janë pyetje provokuese. Në këto momente ne jemi të mërzitur. A mendoni se nuk e dimë që janë të mërzitur edhe tifozët? Ata që dalin në fushë japin maksimumin për këtë fanellë”.

The post Gjimshiti flet si lider: Ishim pranë realizimit të ëndrrës, por na iku nga duart appeared first on Telesport.