Gjimshiti, 600 ndeshje në karrierë/ Kapiteni i kombëtares luan sot sfidën jubilare në jetë

Besohet ka ende shumë për të luajtur.

Gjithsesi, kur futbollisti profesionist mbush 600 ndeshje në karrierë, padyshim që është momenti për të festuar.

Kësaj ia ka dalë Berat Gjimshiti, që jo më kot është kapiten i kombëtares shqiptare, dhe po shkon drejt thyerjes së rekordit të dueleve që një shqiptar ka luajtur në Serinë A.

Mbrojtësi I qendrës do të luajë sot pikërisht ndeshjen numër 600 në jetën e tij sportive, duke numëruar deri tani 539 me ekipet e klubeve, që nga Zyrihu në Zvicër, Avelino e Benevento dhe Atalanta, ku ka krijuar identitetin e tij.

Në moshën 31-vjeçare nuk ka luajtur pak, ndërsa si pozicion ka qenë tepër aktiv në fazën sulmues.

Gjimshiti ka 23 gola gjithsej në karrierë dhe 14 asiste.

Një lojtar me të vërtetë modern, tepër pozicional dhe me përgatitje të lartë fizike, ai ka provuar shumë role, duke iu afruar disi Frederiko Valverdes së Realit.

Kapiteni kuqezi, 1.90 metra shtatlartë, ka luajtur kryesisht si qendërmbrojtës, por edhe si mbrojtës I lirë, mbrojtës I majtë, I djathtë, mesfushor I djathtë dhe mesfushor difensiv.

Si mbrojtës I lirë apo spastrues, ai ka qenë në fushë në ndeshjen historike që Atalanta e fitoi 4-1 ndaj Interit në Serinë A 11 nëntor 2018, kur edhe shënoi një gol shumë të bukur.

Në kombëtare, Gjimshiti ka qenë 60 herë, duke dhënë kontribut me një gol dhe një asist.

Rrjeta e tij e vetme ka qenë në sfidën historike fituar 3-0 në Armeni në 11 tetor 2015, kur Shqipëria arriti matematikisht kualifikimin për në finalen e Kampionatit Europian 2016 në Francë, hera e parë që ia dilte.