Gjimnazi “Hivzi Sulejmani” në Fushë Kosovë tash e dy javë pa ngrohje

Gjimnazi “Hivzi Sulejmani” në Fushë Kosovë po përballet me mungesë ngrohjeje tash e dy javë, duke shkaktuar vështirësi të mëdha për nxënësit.

Ankesat u bënë publike gjatë emisionit “Fol me Arin” në Klan Kosova, ku u theksua se situata është bërë e padurueshme, me klasat që vazhdojnë të jenë të ftohta dhe të papërshtatshme për zhvillimin e procesit mësimor.

Drejtori i gjimnazit, Amir Pllana, ka konfirmuar se lajmi është i vërtetë dhe ka sqaruar arsyet e problemit.

Sipas tij, kompania e cila duhej të bënte mirëmbajtjen e ngrohjes në shkolla ende nuk ka kontratë, dhe për këtë arsye shkolla po përballet me probleme teknike të ngrohjes, përfshirë pompave që përcjellin ujin. Pllana ka bërë të ditur se, megjithatë, me iniciativë të stafit shkollor, pajisjet janë dërguar në servisim dhe pritet që rivendosja e ngrohjes të bëhet sot ose nesër.