Gjilani shpërfill ligjin, ekspertët e OSHP-së kërkojnë përmirësim të kritereve që favorizojnë operatorë të caktuar në tenderin 13-milionësh për ndërtimin e bulevardit

Komuna e Gjilanit, nën udhëheqjen e Alban Hysenit nga Lëvizja Vetëvendosje, ka hapur një tender për “Ndërtimin e projektit të integruar të Bulevardit të Qytetit të Gjilanit” me një vlerë të llogaritur prej 18 milionë eurosh. Por të paktën dy kompani të interesuara për të garuar në këtë projekt dyshojnë se specifikimet teknike dhe disa nga kushtet e përfshira në dosje janë të hartuara për të favorizuar kompani të caktuara, duke diskriminuar operatorët e tjerë ekonomikë. Dy ekspertë të Organit Shqyrtues të Prokurimit një teknik dhe një shqyrtues kanë gjetur se prokurimi komunal ka vendosur kritere diskriminuese në këtë tender, kryesisht në pjesën e pajisjeve teknike. Ata kanë konstatuar se disa nga kërkesat janë fiktive dhe nuk lidhen fare me natyrën e projektit, duke ngritur dyshime se kushtet janë përshtatur për një kompani të caktuar, shkruan Demokracia.com.

Kompanitë “Pro&Co Group” dhe “Semaks” Sh.p.k kanë parashtruar ankesa në OSHP, duke theksuar se kërkesat për pajisje teknike janë të panevojshme dhe të vendosura në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik. Sipas tyre, kërkesa për certifikata profesionale të ISO-së, të cilat mund të sigurohen vetëm nga prodhuesit e materialeve të caktuara dhe jo nga operatorët ndërtimorë, është vendosur qëllimisht për të kufizuar konkurrencën. Po ashtu, afati 20-ditor për aplikim konsiderohet jorealist dhe në kundërshtim me rregullat ligjore.

“Makineri fiktive, afate të paligjshme”, bllokohet në OSHP super-tenderi 18 milionësh i Gjilanit

Tashmë, ekspertja shqyrtuese Blerina Huruglica dhe eksperti teknik Enver Bytyçi kanë përgatitur raportin e tyre me të gjeturat, në të cilin i rekomandojnë Panelit të OSHP-së që ta urdhërojë Komunën e Gjilanit të dërgojë këtë tender për përmirësim të kritereve.

Sipas ekspertëve, kërkesat specifike për pajisjet e caktuara, si ato për kamionë me kran, gjysmë rimorkio kompresor, traktorë me fshesa, dhe automjete të tjera, janë të paqarta dhe kufizuese, duke favorizuar operatorë të caktuar dhe duke kufizuar konkurrencën. Për shumë nga këto pajisje, ekspertët teknikë kanë theksuar se kërkesa për pëlqime, ateste, regjistrime valide, ose lloj pajisjesh të specializuara, nuk është e domosdoshme për natyrën e punimeve të projektit dhe shkel ligjin e prokurimit publik. Këto kërkesa përbëjnë barriera të panevojshme për operatorët dhe janë konsideruar si diskriminuese, duke favorizuar disa kompani dhe duke penguar një konkurrencë të drejtë dhe të hapur.

Për më tepër, problemi i afateve të tenderimit është ngritur si një tjetër aspekt kritik, ku është argumentuar se afati për dorëzimin e ofertave është shkurtuar në mënyrë të paligjshme, duke shkelur nenet përkatëse të Ligjit të Prokurimit Publik.

Përfundimisht, ekspertët kanë rekomanduar ndryshime në dosjen e tenderit për të korrigjuar këto shkelje dhe për të siguruar që procedurat e tenderimit të jenë në përputhje të plotë me ligjin dhe të krijojnë mundësi të barabarta për të gjithë operatorët ekonomikë.

Pretendimi i dytë i Operatorit Ekonomik ankimues:

Operatori Ekonomik ka kontestuar kriterin 9.1 dhe 9.2, konkretisht kërkesën nr. 5, e cila parasheh:

a) OE duhet të ofrojë certifikatën e qëndrueshmërisë së performancës dhe konformitetit (EN 40-5 2002-1608-CPR-P033 valide), duke bashkëngjitur edhe Certifikatën e karakteristikave të produkteve për shtyllat konike të ndriçimit në gjatësi 6.8m dhe 12.8m.
b) OE duhet të dorëzojë certifikata për kontaktorë sipas standardit IEC 60947-4:2009 dhe për ndërprerës për orman elektrik sipas standardit IEC 60947-3:2020.

Sipas specifikimit, dëshmitë duhet të jenë:

  • Për pikën a): Certifikata duhet të jetë në emër të operatorit ekonomik ose të jetë e shoqëruar me një autorizim ose marrëveshje me një kompani që posedon autorizimin përkatës për lëshimin e kësaj certifikate. Certifikata duhet të jetë valide.

  • Për pikën b): Po ashtu, certifikata duhet të jetë në emër të OE-së ose të shoqërohet me një autorizim nga një distributor i certifikuar i këtyre produkteve dhe të jetë me validitet.

OE ankimues pretendon se kjo kërkesë është e pajustifikueshme dhe diskriminuese, me arsyetimin se këto certifikata janë të lëshuara nga vetë prodhuesit e materialeve të përmendura dhe nuk janë domosdoshmërisht në posedim të operatorëve ekonomikë ndërtues. Sipas tyre, të gjitha materialet që përdoren në projekt duhet të jenë në përputhje me projektin dhe të miratohen nga menaxheri i projektit gjatë fazës së zbatimit, prandaj kërkimi paraprak i certifikatave nga OE-të është i tepërt dhe pa funksion në këtë fazë të prokurimit. Ata theksojnë gjithashtu se natyra e kontratës është për ndërtim, jo për furnizim me materiale elektrike, dhe se zakonisht në këto raste realizohet bashkëpunim me kompani të specializuara, të cilat mbajnë përgjegjësi për furnizimet përkatëse. Në këtë kontekst, kërkohet që këto kërkesa të largohen nga dosja e tenderit për të mos kufizuar konkurrencën.

Përgjigje ndaj pretendimit të dytë:

Eksperti teknik ka vlerësuar se certifikatat e kërkuara janë të natyrës specifike dhe kanë të bëjnë drejtpërdrejt me prodhuesit e shtyllave të ndriçimit dhe të pajisjeve elektrike. Duhet theksuar se, në rastin e punëve të ndërtimit me përfshirje të elementeve elektrike, të gjitha materialet duhet të jenë të certifikuara dhe në përputhje me standardet dhe legjislacionin përkatës në fuqi.

Gjithsesi, eksperti thekson se certifikatat për produktet ndërtimore, siç janë këto të përmendura, zakonisht verifikohen gjatë fazës së implementimit të projektit, dhe jo domosdoshmërisht në fazën e ofertimit. Për rrjedhojë, vendosja e këtyre kërkesave në këtë fazë të procedurës së prokurimit është e pajustifikuar dhe e panevojshme, duke rezultuar në kufizim të panevojshëm të konkurrencës. Eksperti teknik rekomandon që Autoriteti Kontraktues të korrigjojë dokumentet e tenderit dhe të heqë këto kërkesa nga DT.

Pretendimi i tretë i OE ankimues:

OE ankimues ka kundërshtuar gjithashtu kërkesat për pajisje të specifikuara në Aneksin 7, veçanërisht për pajisjet me numrat rendor 8, 16, 17, 18, 19, 26, 27, 28, 30, 31, 32, 33, 34 dhe 35. Sipas tyre, një pjesë e këtyre pajisjeve nuk lidhen me natyrën e projektit dhe nuk pasqyrohen në pozicionet e përfshira në paramasë. Për këtë arsye, kërkohet që këto kërkesa të rishikohen dhe të largohen aty ku janë të panevojshme, pasi mund të krijojnë terren për favorizim të operatorëve të caktuar dhe të sjellin keqpërdorim të buxhetit publik. OE thekson se natyra e këtyre pajisjeve tregon sikur bëhet fjalë për tender në fushën e elektrikës ose për punë të cilat nuk janë të përfshira në paramasë.

Përgjigje në pretendimin ankimor 3

Eksperti teknik ka analizuar të gjithë listën e pajisjeve dhe konstaton se në dosjen e tenderit janë kërkuar gjithsej 35 lloje pajisjesh dhe makinerish për realizimin e projektit. Eksperti sqaron se çdo projekt i hartuar për ekzekutim përmban metodologjinë e punës, ku ndër të tjera përcaktohen afatet kohore dhe resurset e projektit. Në përputhje me organizimin dhe teknologjinë e ndërtimit, metodologjinë e punës dhe afatet kohore, përcaktohen edhe angazhimet e stafit të nevojshëm dhe të makinerisë së domosdoshme për realizimin e aktiviteteve ndërtimore dhe të projektit në tërësi. Bazuar në këto analiza, vlerësohen pajisjet dhe makineritë minimale të nevojshme për realizimin e projektit.

Duke u bazuar edhe në përgjigjet e Autoritetit Kontraktues (AK) në kërkesën për rishqyrtim, nuk mund të thuhet me siguri se ekzistojnë plane dhe dokumente të detajuara të projektit. Prandaj, eksperti teknik do të vlerësojë në bazë të fushëveprimit të projektit dhe përshkrimit të pajisjeve të kërkuara. Disa nga pajisjet janë subjekt i pikës ankimore nga OE, dhe në vazhdim do të paraqitet vlerësimi për secilën prej tyre sipas numrit rendor të pajisjes në listën e bashkëngjitur nga AK – Aneksi 7.

Pajisja nr. 8
Gjysmërimorkio speciale me 2 pompa për zhbllokimin e kanalizimit dhe zbrazjen e pusetave me presion min. 200 bar, me kapacitet 5000 litra.

OE ankues ka kërkuar që kjo pajisje të largohet nga dosja e tenderit (DT), pasi që në asnjë pozicion të projektit nuk përfshihet përdorimi i saj.

Përgjigje nga eksperti teknik:
Eksperti vlerëson se, bazuar në përshkrimin e punëve, kjo pajisje nuk gjen përdorim në projektin në fjalë dhe është e panevojshme. Nëse AK e ka vlerësuar të nevojshme, duhet të ketë edhe pozicione konkrete të punëve ndërtimore që e justifikojnë përdorimin e saj. Në përgjigjen e dhënë, AK ka theksuar se pajisja shërben për zhbllokimin e gypave në kyçjen e rrjetit të ri të kanalizimit – pozicion i cili mungon në paramasë dhe nuk mund të realizohet. Prandaj, AK duhet të korrigjojë dosjen e tenderit pasi që pajisja është e panevojshme.
Pretendimi për pajisjen nr. 8 konsiderohet i bazuar.

Pajisja nr. 16
Vinç hidraulik i destinuar për ngarkimin dhe shkarkimin e automjeteve.

OE ka kërkuar largimin e kësaj pajisjeje me arsyetimin se ekzistojnë metoda të tjera për ngarkim dhe shkarkim. AK ka deklaruar se pajisja është menduar për ngarkim dhe shkarkim të materialeve ndërtimore dhe ka shtuar se mjafton të jetë një vinç hidraulik.

Përgjigje nga eksperti teknik:
Kërkesa për këtë pajisje është vlerësuar si diskriminuese, pasi që ekzistojnë metoda të ndryshme për kryerjen e këtij funksioni. Pajisja në fjalë është e rrallë në praktikë dhe një kërkesë e tillë vetëm sa kufizon konkurrencën, duke orientuar drejt OE-ve të caktuara. Përshkrimi duhet të modifikohet dhe të përshtatet me natyrën e punës së projektit, siç është përmendur në përgjigjen e AK.
Pretendimi për pajisjen nr. 16 konsiderohet i bazuar.

Pajisja nr. 17
Vinç – ashensor me konstruksion metalik për bartjen dhe ngritjen e materialeve, elektromotorik, me lartësi deri në 40 m.

OE ka kërkuar largimin e pajisjes si të panevojshme, duke argumentuar se nuk ka objekte që kërkojnë një lartësi të tillë në projekt.

Përgjigje nga eksperti teknik:
Përshkrimi për pajisjen nr. 17 është kufizues, dhe lartësia deri në 40 metra e përkufizon si një pajisje shumë specifike. Për shkak se janë pajisje të rralla, kërkesa kufizon konkurrencën. Ka pajisje të ndryshme që kryejnë të njëjtin funksion – siç janë vinç-kullat – prandaj kërkesa duhet të modifikohet dhe të lejojë përdorimin e pajisjeve alternative. Për më tepër, edhe pse objekti i administratës ka një lartësi të caktuar, kufizimi deri në 40 m duhet të shihet si prag maksimal, duke lejuar edhe lartësi më të ulëta.
Pretendimi për pajisjen nr. 17 konsiderohet pjesërisht i bazuar.

Pajisja nr. 18
Instrument për certifikim dhe testim të kabllove – Multimates TESTPRO CV100-K50 Copper Certification Kit.

OE ka kërkuar largimin e pajisjes si të panevojshme, duke argumentuar se këto janë pajisje që zotërohen nga kompani të specializuara, ndërsa OE-të ndërtimore zakonisht nuk i posedojnë.

Përgjigje nga eksperti teknik:
Në kuadër të projektit ka punime elektrike, dhe gjatë realizimit mund të kërkohet testim i kabllove për të siguruar performancë dhe cilësi. Ky instrument është profesional dhe i përshtatshëm për testime të tilla.
Pretendimi për pajisjen nr. 18 konsiderohet i pabazuar.

Pajisja nr. 19
Makineri sharre me shirit horizontal, hidraulike, për prerjen e çelikut në forma këndore.

OE e ka konsideruar të panevojshme këtë pajisje, pasi në paramasë nuk ka pozicione që kërkojnë përdorimin e saj.

Përgjigje nga eksperti teknik:
AK ka dhënë përshkrime shumë të detajuara për pajisjet, që kufizojnë fleksibilitetin e OE-ve për të përdorur mjete alternative me funksion të njëjtë. Kjo pajisje mund të jetë e panevojshme në varësi të metodës së punës që aplikon OE-ja, pasi teknologjia ka evoluar dhe ekzistojnë forma të tjera për kryerjen e këtij procesi.
Pretendimi për pajisjen nr. 19 konsiderohet i bazuar.

Pajisja nr. 26
Automikser vetëngarkues për prodhimin e betonit.

OE ka kërkuar që të largohet kërkesa për librezën e qarkullimit për këtë pajisje, me arsyetimin se përdoret vetëm brenda kantierit dhe nuk kërkon regjistrim.

Përgjigje nga eksperti teknik:
Eksperti vlerëson se, sipas Ligjit për Automjete, mjetet motorike të dedikuara për përdorim në kantierë ndërtimi përjashtohen nga homologimi dhe nuk kanë nevojë për regjistrim për qarkullim rrugor. Prandaj, kërkesa për librezën e qarkullimit është e panevojshme dhe duhet të largohet nga DT.
Pretendimi për pajisjen nr. 26 konsiderohet i bazuar.

Vlerësimi i Ekspertit Teknik për Pajisjet e Kërkuara në DT

Pajisja nr. 27 – Kamion kiper me kran, gjatësia minimale e kranit 20 m
OE ka kundërshtuar kërkesën që pajisja të posedojë “pëlqim ose atest”, duke e cilësuar si favorizuese për OE të caktuar. Eksperti teknik vlerëson se ky përshkrim është i paqartë, kufizues dhe diskriminues, pasi nuk sqarohet lloji i pëlqimit apo atestit të kërkuar. Sipas ekspertit, pajisjet që i nënshtrohen kontrollit teknik të rregullt nuk kanë nevojë për pëlqim ose atest të veçantë. Kërkesa duhet të largohet nga DT.
Vlerësim: Pretendimi konsiderohet i bazuar.

Pajisja nr. 28 – Gjysmë rimorkio kompresor, minimum 1.5T
OE ka kundërshtuar kërkesën për regjistrim valid të pajisjes, duke theksuar se përdoret vetëm brenda në punishte. Eksperti teknik e mbështet këtë vlerësim, duke sqaruar se pajisjet që përdoren vetëm në punishte nuk kanë nevojë të regjistrohen.
Vlerësim: Pretendimi konsiderohet i bazuar.

Pajisja nr. 30 – Traktor me fshirëse për pastrim, maksimum 1.5T
OE ka argumentuar se kjo pajisje është më shumë për mirëmbajtje sesa për punë ndërtimore. Eksperti teknik pajtohet, duke vlerësuar se pajisja nuk është e lidhur me natyrën e projektit dhe duhet të largohet nga DT.
Vlerësim: Pretendimi konsiderohet i bazuar.

Pajisja nr. 31 – Xhip transportues 4×4 me korpe dhe 2 dyer, me ateste
OE ka kundërshtuar kërkesën, duke theksuar se pajisja nuk lidhet me asnjë pozicion në paramasë. Eksperti teknik e konsideron kërkesën si të tepërt, diskriminuese dhe të panevojshme.
Vlerësim: Pretendimi konsiderohet i bazuar.

Pajisja nr. 32 – Furgon special për punime elektrike me 2 dyer
OE ka kërkuar ndryshimin e kërkesës, duke theksuar se punimet elektrike mund të realizohen edhe pa këtë automjet. Eksperti teknik e vlerëson pajisjen si të panevojshme dhe rekomandon largimin e saj nga DT.
Vlerësim: Pretendimi konsiderohet i bazuar.

Pajisja nr. 33 – Dumper me goma vetshkarkues, minimum 5T
Eksperti vlerëson se pajisjet që operojnë vetëm në vend ndërtimi nuk kanë nevojë për regjistrim. Sa i përket kapacitetit, kërkesa prej minimum 5T është brenda logjikës së përcaktimit të kufirit minimal dhe i takon AK të vlerësojë nevojën.
Vlerësim: Pretendimi konsiderohet pjesërisht i bazuar.

Pajisja nr. 34 dhe 35 – Lugë ngarkuese me fshirëse / Lugë ngarkuese me pirun dhe fshirëse
OE ka kërkuar largimin e këtyre pajisjeve, duke argumentuar se janë të panevojshme për natyrën e punëve. Eksperti pajtohet dhe vlerëson se pajisjet nuk ndërlidhen me aktivitetet ndërtimore.
Vlerësim: Pretendimi konsiderohet i bazuar.

Pretendimi i katërt i OE ankues:
Kuvendi Komunal Gjilan ka publikuar tenderin në fjalë me datë 18/03/2025, ku sipas dosjes së tenderit afati i fundit për dorëzimin e tenderëve është data 07/04/2025. Me rastin e përcaktimit të afatit të fundit për dorëzimin e tenderëve, AK ka vepruar në kundërshtim me Nenin 44 dhe 45 të LPP-së. Sipas dispozitave të nenit 44 të LPP-së, në rast të kontratave me vlerë të madhe, AK duhet që të mbajë tenderin të hapur në një afat jo më pak se 40 ditë. Ndërsa në rastet kur ka njoftim paraprak, atëherë tenderi duhet të jetë i hapur jo më i shkurtër se 24 ditë. Andaj, AK nuk ka pasur parasysh faktin se afatet për ofertim duhet të jenë në harmoni me natyrën dhe qëllimin e projektit, gjithnjë duke pasur parasysh kërkesat e shumta që duhet të plotësohen për të përgatitur një ofertë serioze.

Përgjigje në pretendimin ankimor të OE ankues:
Ekspertja shqyrtuese, bazuar në shkresat e lëndës, sqaron se lidhur me afatin ligjor për dorëzimin e tenderëve, AK në Dosjen e tenderit ka specifikuar gjithashtu arsyen e përshpejtimit dhe shkurtimit të afatit për dorëzimin e tenderëve. Kjo bazuar në E-prokurim dhe, sipas ligjit, ky afat për dorëzimin e tenderëve është 22 ditë nga data e njoftimit për kontratë deri në ditën e dorëzimit të tenderëve. Si e tillë, bazuar në nenin 46 të Ligjit për Prokurim Publik, rregullat e posaçme për mundësimin e shkurtimit të afateve kohore, paragrafi 2 thotë:

2. Gjatë një aktiviteti të prokurimit që përdor procedurat e hapura të prokurimit, autoriteti kontraktues mund të përcaktojë një afat të caktuar kohor për pranimin e tenderëve që është:

  • 2.1. Nëse kontrata përkatëse është kontratë publike me vlerë të madhe, jo më pak se pesëmbëdhjetë (15) ditë;

  • 2.2. Nëse kontrata përkatëse nuk është kontratë publike me vlerë të madhe, jo më pak se dhjetë (10) ditë.

Rrjedhimisht, AK ka vepruar sipas nenit 46 të LPP-së duke shkurtuar afatin nga 40 ditë në 22 ditë. Në rastin konkret, ky pretendim ankimor është irelevant për shkak të zgjatjes së afatit të procedurave ankimore.

Si përfundim, bazuar në sqarimet e dhëna, rekomandohet që AK të bëjë ndryshimet në dosjen e tenderit dhe të zgjat afatin për dorëzimin e ofertave.

Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues dhe teknik i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si pjesërisht e bazuar, AK të bëjë përmirësimet në dosjen e tenderit dhe të zgjasë afatin për ofertim“, aknë shkruar ekspertët.

Kanë shkruar ekspertet, por raporti do të shqyrtohet dhe nga Paneli. /Demokracia.com/