Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar donacion server dhe pajisje përcjellëse për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Donacioni është bërë nga Gjermania.
Nga atje, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, sipas“KP” ka theksuar se mbështetja e shtetit gjerman do të ndihmojë në përmirësimin e infrastrukturës dhe avancimin e standardeve zgjedhore në Kosovë.
Ndërkohë, disa fjalë i tha edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.
“Demokracia dhe zgjedhjet e lira janë themeli i një shoqërie. Ne dëshirojmë të fuqizojmë të ardhmen tonë dhe demokracinë që siguron lirinë për secilin prej ne. Që nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka bërë përparim të madh në ngritjen dhe demokratizimin.
Digjitalizimi i procesit zgjedhor do të jetë kyç në këtë progres. Ky donacion prej më shumë se 140 mijë euro, siguron që edhe këto zgjedhje aktuale dhe në të ardhmen të jenë të sigurta në Kosovë, dhe në Gjermani, derisa kemi zgjedhje në tri javë”.
“…jam i sigurt se do të kemi zgjedhje pa vështirësi, dhe të dielen do t’i dijmë rezultatet ku do të flasin qytetarët” – ka thënë ai.
Ndryshe, kryediplomatja Donika Gërvalla, që në këto zgjedhje garon si kandidate për deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, shkaktoi reagime të shumta me një deklaratë të dhënë të martën për shtetin gjerman.
“Unë çdo herë takoj njerëz në aeroplan njerëz të cilët kanë ikur para një kohe jo shumë të gjatë dhe po kthehen përsëri, sepse kanë konstatuar se jo gjithçka në Gjermani e Zvicer është e lehtë siç u duket.
Pra, është e vërtetë që Evropa duke u ballafaquar me vështirësi të mëdha ekonomike, Evropa është duke vuajtuar nga instabiliteti…edhe Franca….
Pra nuk jemi 1990. Gjermania është në krizë të rëndë ekonomike.” – tha ajo.