Ushtria gjermane po përballet me një tjetër skandal, pasi rreth 20 mijë fishekë të Bundeswehr-it janë raportuar të zhdukur nga një ngarkesë zyrtare municionesh.
Vjedhja ndodhi javën e kaluar, ndërsa transporti i kryer nga një kompani civile kishte ndaluar për natën në një parking të pambrojtur pranë qytetit Magdeburg, në lindje të vendit.
Sipas të dhënave të konfirmuara nga një zëdhënës i Bundeswehr-it për agjencinë AFP, shoferi i kamionit kishte fjetur në një hotel aty pranë, duke lënë ngarkesën pa mbikëqyrje.
Kur kamioni mbërriti në destinacion, u zbulua se një pjesë e konsiderueshme e municioneve mungonte, çka çoi në njoftimin e menjëhershëm të autoriteteve.
Policia e Stendal-it konfirmoi hapjen e një hetimi, por refuzoi të jepte detaje “për arsye taktike”.
Edhe ushtria gjermane nuk pranoi të specifikonte llojin apo sasinë e saktë të municionit të vjedhur.
Burime të afërta me ushtrinë, të cituara nga Der Spiegel, vlerësojnë se vjedhja është shumë e pamundur të ketë qenë rastësore.
Sipas tyre, autorët mund të kenë ndjekur dhe monitoruar transportin, duke shfrytëzuar momentin kur shoferi bëri një ndalesë të paparashikuar pranë Burg-ut për të fjetur.
Kjo ndalesë ishte jashtë itinerarit të parashikuar.
Edhe më shqetësues është fakti se protokollet e sigurisë së Ministrisë gjermane të Mbrojtjes kërkojnë që në këto transportime të marrin pjesë dy shoferë, në mënyrë që ngarkesa të mos mbetet asnjëherë e pa mbikëqyrur. Në këtë rast, kompania civile e transportit nuk e ka respektuar rregulloren.











