Embargo u dekretua në fillim të gushtit në reagim ndaj zgjerimit të ofensivës izraelite në Rripin e Gazës.
Gjermania do të heqë embargon e saj të pjesshme për eksportin e armëve në Izrael më 24 nëntor, të dekretuar në fillim të gushtit në reagim ndaj zgjerimit të ofensivës izraelite në Rripin e Gazës, njoftoi të hënën një zëdhënës i qeverisë.
“Që nga 10 tetori, kemi pasur një armëpushim në Gaza i cili është stabilizuar përgjithësisht”, deklaroi Sebastian Hille, gjatë një konference për shtyp, për të justifikuar këtë vendim. “Nga 24 nëntori, eksportet e armëve në Izrael do të jenë përsëri të mundura sipas procedurave të zakonshme të shqyrtimit rast pas rasti”.
Berlini pret që Izraeli dhe Hamasi të “respektojnë marrëveshjet e arritura”, të cilat përfshijnë “ruajtjen e armëpushimit” dhe “ofrimin e ndihmës humanitare në shkallë të gjerë”, tha ai.
Kancelari Friedrich Merz njoftoi më 8 gusht se po pezullonte eksportin e pajisjeve ushtarake që mund të përdoren në Rripin e Gazës, në përgjigje të planeve izraelite për të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës.
Embargoja e pjesshme shkaktoi kritika publike nga anëtarët e partisë së tij, CDU, se ky veprim shkonte kundër parimeve themelore të Gjermanisë dhe partisë.
Për shkak të përgjegjësisë së saj historike për Holokaustin, Gjermania deri më tani ishte një nga mbështetëset më të mëdha të Izraelit.
Por toni i Berlinit ndaj Izraelit ishte ashpërsuar në muajt e fundit, ndërsa situata humanitare në Rripin e Gazës u përkeqësua në mënyrë dramatike.











