Gjermania e rihap ambasadën në Siri, e pranishme edhe kryediplomatja Baerbock

Gjermania të enjten e rihapi ambasadën e vet në Damask të Sirisë, duke shënuar rilindje të marrëdhënieve diplomatike nën udhëheqësinë e re siriane, e cila është duke u ballafaquar me probleme humanitare e të sigurisë, përderisa po mundohet që ta rindërtojë vendin pas rënies së ish-presidentit Bashar al-Assad.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, e mbikëqyri rinisjen zyrtare të punës në ambasadë gjatë një vizite në kryeqytetin sirian, thanë zyrtarë nga delegacioni i saj, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në Gjermani jetojnë shumë sirianë pas turmës së refugjatëve në dekadën e fundit dhe Berlini është munduar që të dërgojë një porosi të angazhimit të matur me pushtetarët e rinj sirianë, ndërkohë duke bërë thirrje edhe për respektimin e të drejtave të pakicave, transmeton nacionale.

Ambasada gjermane në Damask ka një ekip të vogël politik dhe do të vazhdojë që ta zgjerojë praninë e saj në vijë me situatën në vend, thanë zyrtarët.

Për shkak të shqetësimeve rreth sigurisë dhe hapësirës së kufizuar, çështjet konsullore dhe të vizave do të vazhdojnë të trajtohen nga Bejruti në Libanin fqinj, shtuan zyrtarët gjermanë.

Zonja Baerbock fillimisht u takua me udhëheqësin e ri de factor të Sirisë, Ahmed al-Sharaa, në fillim të vitit, një muaj pasi rebelët e udhëhequr nga grupi Hayat Tahrir al-Sham (HTS) e rrëzuan presidentin Bashar al-Assad pas më shumë se 13 vjetëve luftë civile.