Gjermania duhet të dërgojë raketa me rreze të gjatë veprimi Taurus në Ukrainë, dhe aleatët e NATO-s duhet të rrisin dërgesat për të ndihmuar ukrainasit të mbrohen kundër raketave dhe droneve ruse, ka thënë ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen në një intervistë për Euronews.
Rasmussen, i cili ishte shef i NATO-s nga viti 2010 deri në vitin 2014 pasi shërbeu si kryeministër i Danimarkës, sugjeroi që aleatët e NATO-s duhet të rrisin presionin mbi presidentin rus Vladimir Putin për ta sjellë atë në tryezën e negociatave, megjithëse për momentin Putin nuk ka asnjë motiv për ta bërë këtë.
“Presidenti Putin nuk ka asnjë nxitje për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në një proces paqeje, për sa kohë që ai beson se mund të fitojë në fushën e betejës”, ka thënë Rasmussen përcjell Telegrafi.
“Pra, për të ndryshuar llogaritjet e tij, ne duhet t’i ndihmojmë ukrainasit shumë më tepër, dhe duhet të ushtrojmë më shumë presion”, theksoi ai.
Taurus i prodhuar në Gjermani është një raketë me rreze të gjatë veprimi shumë e përparuar me një rreze veprimi prej 500 km, ose dyfishi i raketave që Kievi aktualisht ka në arsenalin e tij, dhe mund t’i mundësojë Ukrainës të godasë thellë në territorin rus.
Edhe pse kancelari gjerman Friedrich Merz tha në prill se do të ishte i hapur për të dërguar raketën Taurus në Ukrainë, kjo ende nuk është materializuar.
Qeveria e mëparshme e koalicionit e udhëhequr nga Olaf Scholz u tërhoq nga dërgimi i raketës në Ukrainë për shkak të shqetësimeve se sulmet në tokën ruse mund të përshkallëzonin luftën.
Gjatë intervistës së tij, Rasmussen vuri në dukje një ndryshim taktike nga Uashingtoni që nga janari.
“SHBA-të mund të jenë më të paparashikueshme. Nuk e vlerësova pritjen me tapet të kuq të presidentit Putin në Alaska kur ai dhe presidenti Trump u takuan”, tha ai.
Megjithatë, Rasmussen përshëndeti njoftimin e fundit të SHBA-së për sanksione kundër dy kompanive të mëdha ruse të naftës si një hap pozitiv.
“Duket se gradualisht presidenti Trump e ka humbur durimin me Putinin. Dhe mendoj se amerikanët gradualisht e kuptuan se nëse duhet ta detyrojnë Putinin të hyjë në negociata paqeje, do të duhet të ushtrojnë shumë më tepër presion mbi Rusinë”, tha ish-shefi i NATO-s












