Gjermania do të njohë patentat e lëshuara nga Kosova dhe Shqipëria. Emigrantët shqiptarë në këtë vend kanë kohë që presin njohjen e lejes së drejtimit të automjeteve, por kjo procedurë mund te zgjasë disa vite deri sa të hyjë tërësisht në fuqi.
Emigrantët shqiptarë në Gjermani, kanë kohë që presin njohjen e lejes së drejtimit të automjeteve, por siç ka mësuar Deutsche Welle ky proces do të zgjasë disa vjet. Për të mësuar më shumë Top Channel ka kontaktuar me korrespondenten e Deutsche Welles në Berlin, Anila Shuka.
Top Channel: Në cilin stad ndodhet procesi i njohjes se lejeve të drejtimit të automjetit me Gjermaninë.
Anila Shuka: Njohja e lejeve të drejtimit të automjeteve, ose siç quhet ndryshe,patentat, ka disa etapa verifikimi. Shqipëria nga ana e saj i ka plotësuar detyrat qysh në janar të vitit të kaluar.
“Procesi tashmë ka filluar, ne i kemi përcjellë autoriteteve gjermane një formular të plotësuar nga fillimi deri në fund lidhur me mënyrën dhe kërkesat që aplikohen në Shqipëri për pajisjen me leje drejtimi të automjetit, autoritetet gjermane po bëjnë verifikimin në të gjithë shtetet e republikës federale gjermane për të parë se sa janë në përputhje kriteret që aplikon Shqipëria dhe në përfundim të procesit unë jam besim plot se do të arrijmë në ekuivalentimin e lejeve të republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë”, tha për DW, ambasadori i Shqipërisë, Artur Kuko.
Top Channel: Anila, Sa kohë kërkon ky proces për të cilin flet zoti Kuko derisa të finalizohet?
Anila Shuka: Ministria Federale e Gjermanisë, e pyetur disa herë nga DW nuk jep detaje, thotë vetëm se jemi në proces e sipër. Unë sapo bisedova me një ekspert nga ministria e një shteti i cili më konfirmoi se formulari i plotësuar ende nuk u është nisur ministrive përkatëse. dhe sa për të dhënë një afat kohor: Me Maqedoninë procesi filloi në vitin 2013 Dhe përfundoi në vitin 2018. Pra 5 vjet.
Top Channel: A kanë mundësi emigrantët së paku ta japin provimin e patentës në shqip?
Anila Shuka: Për momentin jo: sepse numri i shqiptarëve nuk është aq i madh sa ta justifikojë përkthimin e provimit në shqip. Por ambasadorët e kanë bërë të tyren dhe i kanë kërkuar para ca kohësh në një nismë të përbashkët qeverisë gjermane që ndërkohë të fusë edhe shqipen te gjuhët e provimit.
“Vetë fakti që me Kukon e kemi marrë këtë iniciativë, flet që kemi dëshiruar, në fakt që është goxha e pazakonshme ta përçojmë sinjalin, që ne si përfaqësues të shteteve tona, jo vetëm që jemi të interesuar, por jemi edhe nën presion, që të gjendet një zgjidhje” tha për DW, ambasadori i Kosovës në Gjermani, Vukaj.
Top Channel: A ka shpresa që kjo kërkesë të realizohet?!
Anila Shuka: Vështirë sepse të mendojmë që provimi aktualisht jepet vetëm në 12 gjuhë..dhe mund të marrë po aq kohë sa njohja e patentave më e shpejt mëson gjermanisht.