Gjermania dhe Austria i bëjnë thirrje Izraelit të lejojë më shumë ndihma humanitare për Gazën

Shefat e diplomacisë së Gjermanisë dhe Austrisë i kanë bërë thirrje homologut të tyre izraelit që të lejojë më shumë ndihma humanitare në Rripin e Gazës dhe kanë shprehur shpresë se bisedimet e suksesshme për armëpushim do të mund të përmirësojnë situatën në rajon, transmeton Anadolu.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media në Vjenë pas takimit, ministrja austriake e Punëve të Jashtme, Beate Meinl-Reisinger, tha se si Austria ashtu edhe Gjermania qëndrojnë në solidaritet me Izraelin, por gjithashtu i kujtuan detyrimet e tij humanitare dhe nevojën për një zgjidhje diplomatike të konfliktit aktual.

“Austria, ashtu si Gjermania, qëndron fort në krah të Izraelit. Por gjithashtu është e qartë se për ne, humanizmi dhe detyrimet sipas të drejtës ndërkombëtare janë të pa negociueshme”, theksoi Meinl-Reisinger.

“Sipas mendimit tonë, nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa perspektiva politike për palestinezët, pa një të ardhme për popullin palestinez. Prandaj, qëllimi afatgjatë duhet të jetë një zgjidhje me dy shtete”, shtoi ajo.

Meinl-Reisinger gjithashtu shprehu shqetësimin për raportet se qeveria izraelite po bashkëpunon me administratën amerikane për plane që synojnë zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza dhe okupimin e përhershëm të territorit palestinez.

“Për Austrinë, Gaza duhet të mbetet palestineze. Izraeli është i detyruar të respektojë të drejtën ndërkombëtare edhe në luftën e tij legjitime kundër terrorizmit. Qëllimi ynë tani është të kthehemi plotësisht në tryezën e negociatave, në një armëpushim, në lirimin e pengjeve dhe sigurisht në përmirësimin e situatës humanitare, e cila duhet të ndodhë menjëherë”, tha ministrja austriake.

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Johann Wadephul, përkrahu deklaratat e homologes së tij austriake, duke theksuar se derisa siguria e Izraelit mbetet e “pa negociueshme”, ata gjithashtu presin që qeveria izraelite të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të lehtësuar vuajtjet e civilëve palestinezë në Gaza.

“Të gjithë jemi thellësisht të shqetësuar për urinë dhe vdekjet në Gaza. Njerëz që vriten në përpjekje të dëshpëruara për të marrë ndihma. Fëmijë që po vdesin nga uria. Kjo na shqetëson të gjithëve”, tha Wadephul, duke theksuar se organizatat humanitare paralajmërojnë njëzëri se ndihmat aktuale janë larg përmbushjes së nevojave themelore.

“Situata humanitare duhet të përmirësohet urgjentisht dhe shpejt për këta njerëz që po vdesin nga uria”, theksoi ministri gjerman.

Ai shprehu shpresën se situata do të përmirësohet pas marrëveshjes midis BE-së dhe qeverisë izraelite për masa që synojnë zbutjen e krizës humanitare në Gaza, pas bisedimeve diplomatike të udhëhequra nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.

Që nga fillimi i ofensivës ushtarake të Izraelit në Gaza në tetor të vitit 2023, të paktën 57.700 palestinezë janë vrarë dhe mbi 100 mijë të tjerë janë plagosur, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Izraeli aktualisht përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet në Gaza, ku të paktën 1,9 milion palestinezë mbeten të zhvendosur dhe përballen me mungesa të theksuara ushqimi, furnizimesh mjekësore dhe ndihmash të tjera bazë.

The post Gjermania dhe Austria i bëjnë thirrje Izraelit të lejojë më shumë ndihma humanitare për Gazën appeared first on Kosovapost.net.