Më shumë se 200 figura të shquara në Gjermani në një letër drejtuar Kancelarit gjerman, Friedrich Merz, i kanë bërë thirrjen “Mos e lini Gazën të vdesë”, transmeton Anadolu.
Mbi 200 personalitete nga fusha të ndryshme, përfshirë aktorë dhe muzikantë të shumtë, publikuan një letër të hapur drejtuar kancelarit Merz në platformën Avaaz me titull “Mos e lini Gazën të vdesë”.
Letra, trajton vuajtjet në Gaza dhe thekson: “Fëmijë, të dobësuar, me shikime të zbrazëta dhe kyçe të holla. Foshnje shumë të dobëta aq sa nuk mund të qajnë nga uria. Njerëz të moshuar, të dobët dhe të sëmurë që nuk kanë kujdes të mjaftueshëm. Ata që vdesin në Gaza. Ditë për ditë. Ndërkohë, ata janë qenie njerëzore. Janë nëna, baballarë, fëmijë. Si fëmijët tanë. Si fëmijët tuaj”.
– “Fjalët nuk shpëtojnë jetë”
Letra thekson se fëmijët janë ata që nuk janë pjesë e luftës, por që ende mbajnë barrën e saj të plotë. “Më shumë se 17.000 janë vrarë. Qindra, mijëra janë plagosur, traumatizuar, zhvendosur dhe vdesin urie”, theksohet ndër të tjera.
Më tej në letrën ku vihet në dukje se Merz kohët e fundit ka mbajtur një qëndrim kritik ndaj qeverisë izraelite, thuhet se “Ne e vlerësojmë këtë, por ajo që është e qartë është kjo: Vetëm fjalët nuk shpëtojnë jetë”.
Prandaj, kjo letër është shkruar me kërkesën që fjalët duhet të pasohen nga veprimet, thuhet në letrën ku kancelarit Merz i bëhet thirrja që “të ndalojë menjëherë eksportet e armëve të Gjermanisë në Izrael”. Gjithashtu kancelarit gjerman i bëhet thirrje “të mbështesë pezullimin e Marrëveshjes së Asociimit midis Bashkimit Evropian (BE) dhe Izraelit dhe të këmbëngulë për një armëpushim të menjëhershëm dhe akses të papenguar të ndihmës humanitare”.
Ndër të tjera në letër theksohet se këto hapa janë në përputhje me vlerat evropiane dhe do t’i tregojnë qartë qeverisë izraelite se edhe aleatët e saj më të ngushtë nuk mund ta pranojnë më këtë vuajtje dhe se fjalët nuk janë më të mjaftueshme.
The post Gjermani, mbi 200 figura të shquara i bëjnë thirrje kancelarit Merz të “mos lejojë vd*ekjen e Ga*zës” appeared first on Kosovapost.net.